Kanë vijuar me tone të larta debatet mbi projektbuxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2026 gjatë seancës maratonë të së mërkurës në Kuvendin e Shqipërisë.
Përplasja më e fortë u regjistrua mes deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dhe ministrit të Financave, Petrit Malaj, të cilët shkëmbyen akuza të drejtpërdrejta mbi të ardhurat për frymë, koston e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe çështjen e inceneratorëve.
Ministri Malaj reagoi i pari, duke kundërshtuar lidhjen që, sipas tij, Tabaku përpiqet t’i bëjë menaxhimit të mbetjeve me aferën e inceneratorëve.
“Tani besoj se e ke listën përpara, se ku kanë vajtur 1 miliard lekë që lidhen me menaxhimin e mbetjeve. Janë shuma të shpërndara në mbi 40 bashki. Si arrini ju t’i lidhni inceneratorët me paratë që shkojnë për menaxhimin e mbetjeve urbane, vetëm ti mund ta bësh këtë gjë”, u shpreh Malaj.
Ai shtoi se të ardhurat për frymë të shqiptarëve kanë pësuar përmirësim që nga viti 2013, sipas të dhënave të Bankës Botërore, duke theksuar se “nga 30% nën mesataren e Ballkanit Perëndimor, sot janë mbi 20% nën këtë nivel”.
Reagimi i Tabakut ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Deputetja demokrate e akuzoi ministrin për mungesë njohurish mbi buxhetin dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësitë për çështjen e inceneratorëve.
“Së pari, më mirë drejtoju atyre që të kanë futur në punë, sepse për ju unë jam zonja Tabaku. Kur të mësosh të lexosh buxhetin e shtetit do ta shohësh se ku janë edhe inceneratorët, ku është edhe kostoja për menaxhimin e mbetjeve. Je i ri aty, je i 12-ti në atë detyrë dhe nuk e ke të gjatë”, deklaroi ajo.
Tabaku tha se skandali i inceneratorëve po i kushton Tiranës 139 milionë euro dhe se hetimet duhet të çojnë para drejtësisë “të gjithë të përfshirët, përfshirë edhe Kryeministrin”.
Ajo ngiti alarmin edhe për situatën ekonomike të familjeve shqiptare, duke theksuar se: “55% e familjeve shqiptare nuk e mbyllin dot muajin. 40% e shpenzimeve shkojnë për ushqime. Këto janë të dhënat tuaja, nga INSTAT dhe Eurostat”.
Debati u mbyll me tone të forta, ndërsa Tabaku akuzoi qeverinë se po “mashtron qytetarët” dhe se kjo “nuk është më paaftësi, por korrupsion”.
Seanca për buxhetin 2026 pritet të vijojë edhe me diskutime të tjera, teksa opozita paralajmëron kundërshtim të fortë ndaj paketës fiskale dhe projekteve të qeverisë.



