Nga Elisabeta Dosku
Biznesmenë dhe politikanë nga Evropa dhe bota, kanë ngritur shqetësimet me të cilat përballen sipërmarrjet për të investuar në këtë kontinent. Në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar të mbajtur në Tiranë, me temë “E ardhmja e investimeve në Evrope”, biznesmeni Samir Mane, u ndal tek problematikat që ka kryesisht sektori i ndërtimit, ndërsa vuri theksin tek potencialet që ka Shqipëria për investitorët, sidomos në turizëm.
Samir Mane, President i Balfin Group:
“ Sa i takon sektorit të ndërtimit, na merr 3 muaj për të marrë një leje ndërtimi në US, 2 vjet në EU dhe 3-4 muaj në Shqipëri. Ka diçka që duhet të bëhet më shpejt për të ndryshuar këtë situatë në Evropë. Shqipëria ka shumë mundësi për të investuar në turizëm, sistemin bankar, energjinë e rinovueshme. Shqipëria po rritet shumë shpejt, ne e shohim turizmin si mundësi për të investuar dhe po investojmë në këtë fushë”.
Ndërsa pjesëmarrësit e tjerë në forum vendosën theksin tek fakti se Evropa duhet të minimizojë burokracitë dhe të ndjekë trendin e ndryshimeve që po ndodhin në botë.
Matteo Renzi, ish-kryeministër i Italisë:
“Administrata e Donald Trump ka ndryshuar shumë gjëra. Tarifat nuk janë gjë e mirë por mund të kalohen me tarifa bilaterale. Evropa duhet të përfitojë pasi është një kontinent perfekt dhe me demografi të madhe, por rrezikon të bjerë në burokraci. Evropa është një lojtare e fortë në fushë por duhet të zgjohet dhe të mendojë për të ardhmen”.
Mohamed Alabbar, Themelues i ”Emaar Properties”:
“Europa ka disa rregulla të çuditshme dhe duhet të ndryshojë. Ne duam që Evropa të përparojë. Me thonë mua Muhamed ke shtet pa demokraci por në fakt kemi zhvillim, kapital të zhvilluar dhe të edukuar, kemi turizëm ekonomi, siguri dhe transparencë. Ka diçka Amerika është e zënë me zgjedhjet gjithë kohën, ndërsa Evropa vetëm rikonstruksion, rikonstruksion… Bota po ndryshon dhe ne duhet të kapim ndryshimet”
Pjesëmarrësit në forum u ndalën gjithashtu edhe tek rëndësia e investimit në edukim dhe përqafimi i teknologjisë. Diskutimet e forumit u përqendruan në fusha si fragmentimi dhe gjeoekonomia, siguria dhe pavarësia energjetike, inteligjenca artificiale dhe robotika, kujdesi shëndetësor, industria e prodhimi, tregtia, turizmi dhe inovacioni në sipërmarrje.