Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ende nuk ka marrë vendim përfundimtar për përfshirjen e Amerikës në luftën e Izraelit kundër Iranit. Arsyeja për këtë, sipas mediumit Axios, është se ai nuk është i sigurt nëse do të arrijë atë që e konsideron si qëllimin e tij kryesor: shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit.
Sipas Axios, Trumpi prej disa ditësh po kërkon nga bashkëpunëtorët e tij garanci që bombat amerikane GBU-57, të njohura si “shkatërruese të bunkerëve”, do të jenë në gjendje të shkatërrojnë objektet bërthamore të Iranit, të cilat ndodhen nëntokë.
Përveç kësaj, Trumpi dëshiron të sigurohet që përdorimi i këtyre armëve nuk do ta fusë Amerikën në një tjetër “luftë të pafund”, dhe që në këtë mënyrë të arrijë të shkatërrojë programin bërthamor iranian.
“Është e qartë që jemi të gatshëm për të sulmuar Iranin. Ende nuk jemi të bindur që është e domosdoshme. Dhe duam të mos jetë e domosdoshme. Por nuk mendoj se presidenti është bindur ende që kemi nevojë”, ka thënë një zyrtar amerikan.
Nëse Trumpi vendos të nisë luftën, atëherë thuajse me siguri sulmi do të ketë për qëllim shkatërrimin e objektit të pasurimit të uraniumit në Fordow, i cili ndodhet brenda një mali në jug të Teheranit.
Izraeli nuk posedon bombat për shkatërrimin e bunkerëve nga ajri, as bombarduesit B-2 që janë të nevojshëm për t’i transportuar GBU-57. Shtetet e Bashkuara i kanë të dyja këto kapacitete, dhe ato ndodhen brenda rrezes së fluturimit për në Iran.
“Ne jemi të vetmit që kemi aftësinë ta bëjmë këtë, por kjo nuk do të thotë se do ta bëj. Të gjithë më kanë pyetur për këtë, por ende nuk kam marrë një vendim”, ka thënë Trump të mërkurën, kur u pyet nëse e konsideron të nevojshëm shkatërrimin e Fordowit.
Sipas një zyrtari amerikan, Trumpi ka kërkuar posaçërisht nga këshilltarët ushtarakë nëse bomba GBU-57 është në gjendje ta shkatërrojë Fordowin. Zyrtarët e Pentagonit i kanë thënë se janë të bindur se mundet. Megjithatë, nuk është e qartë nëse presidenti është plotësisht i bindur.
Kjo armë nuk është përdorur kurrë në një situatë lufte, ndonëse ka kaluar disa teste gjatë zhvillimit, thonë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë.
“Bomba për bunkerë do të ketë sukses. Nuk është çështje kapaciteti. Ne i kemi aftësitë. Por ekziston një plan i tërë për sulm të mundshëm. Nuk është thjesht të hedhësh një bombë dhe të shpallësh fitoren”, u shpreh një tjetër zyrtar i lartë amerikan.