Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka komentuar lëvizjet e brendshme në selinë blu, duke u ndalur veçanërisht tek takimet e demokratëve jashtë parlamentit, të quajtura ndryshe “Foltore”. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Shqipëria Live”, Sula theksoi se drejtuesit e PD-së janë më shumë të shqetësuar për këto takime sesa për sfidat e mëdha që partia ka përballuar që nga viti 2013.
“Partia dhe drejtuesi janë të shqetësuar më shumë për kafene e këtyre demokratëve me njëri-tjetrin, dhe jo për kafen e mortit që rri te dera e PD që nga viti 2013,” tha Sula, duke kritikuar largimin e drejtuesit nga strukturat e partisë.
Ai theksoi se Foltorja ka prishur strukturat dhe hierarkinë e PD-së, ndërsa sipas tij, bazat dhe degët janë ato që mbajnë partinë gjallë:
“Kupola e PD është shkëputur totalisht nga strukturat. Një parti ekziston vetëm falë kapilarëve që janë seksionet dhe degët e PD. Drejtuesit nuk mund të shkojnë në bazë, janë të paaftë apo drejt shuarjes.”
Sula vlerësoi gjithashtu figurat e reja që kanë fituar vota individuale, duke përmendur emra si Aulon Kalaja, Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku. Ai theksoi se Sali Berisha mbetet figura më e fortë brenda PD-së:
“Unë nuk e kafshoj gjuhën, sigla dhe loga e PD është më e dobët se ajo e PS. Ndërkohë PD ka figura si Kalaja, Alimehmeti dhe Tabaku që kanë fituar vota individuale. Sali Berisha është njeriu më i fortë sot për sot në PD, pa diskutim.”



