Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debatit të fundit mbi nevojën e blerjes së avionëve zjarrfikës nga Shqipëria, duke theksuar se megjithëse shtimi i mjeteve ajrore është i dobishëm, nuk është zgjidhja e vetme për përballimin e situatave të zjarreve masive.
“Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por…”, tha Rama.
Ai solli në vëmendje shembullin e Greqisë, e cila disponon një flotë të madhe për shuarjen e zjarreve, por që gjithsesi po përballet me situatë dramatike.
“Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës, rreth 20 helikopterë dhe afërsisht 3,500 automjete të tjera zjarrfikëse. Pra, sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët,” – theksoi Kryeministri.
Sipas Ramës, Shqipëria këtë vit ka pasur në dispozicion më shumë mjete ajrore se çdo sezon më parë, falë flotës së vet, mbështetjes nga Mekanizmi Europian të Mbrojtjes Civile dhe kontributit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia, apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se çdo vit tjetër, a kanë vallë mungesë avionësh?! Shkaqet janë njësoj për të gjithë dhe kërkojnë qasje më të gjerë, jo thjesht blerjen e mjeteve nga ajri,” shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se përballja me emergjencat natyrore duhet të fokusohet jo vetëm në mjetet teknike për shuarjen e flakëve, por edhe në parandalimin dhe menaxhimin afatgjatë të rrezikut nga zjarret.