Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas zhvillimeve të fundit dhe debatit publik lidhur me gjykimin kushtetues për pagat e magjistratëve. Në një qëndrim zyrtar, shoqata shpreh mbështetjen për argumentet e paraqitura nga shoqatat e gjyqtarëve pranë Gjykatës Kushtetuese, duke vënë theksin te mbrojtja e parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Shoqata thekson se debati publik mbi drejtësinë duhet të zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme dhe të balancuar, me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Sipas saj, çdo retorikë që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve dëmton besimin te drejtësia dhe nuk kontribuon në forcimin e shtetit të së drejtës.
Në reagim, Shoqata e Prokurorëve paralajmëron se çdo ndryshim ligjor që përbën regres në standardet e mëparshme, përfshirë uljen e pagave të magjistratëve, cenon garancitë kushtetuese dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Më tej, shoqata nënvizon se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese është një parim themelor në një shtet demokratik dhe duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme para vendimmarrjes.
Shoqata e Prokurorëve shpreh besimin e plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti legjitim për të dhënë vendimin përfundimtar dhe mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e drejtësisë dhe ruajtjen e standardeve demokratike në vend.



