Kryeministri Edi Rama ka vijuar debatin në distancë me gjyqtarët lidhur me çështjen e rritjes së pagave të tyre, duke reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Shoqatës së Gjyqtarëve. Në një komunikim në rrjetet sociale, Rama u shpreh i habitur nga reagimi i shoqatës, duke e cilësuar kërkesën e saj si të paprecedentë në historinë europiane.
Sipas kryeministrit, përpjekja për t’i imponuar Kuvendit dhe qeverisë rritjen e pagave përmes pushtetit gjyqësor është e papranueshme. Ai theksoi se kjo është hera e dytë që ndodh një situatë e tillë dhe akuzoi Shoqatën e Gjyqtarëve se po sillet si një parti politike, duke përdorur një gjuhë që, sipas tij, nuk i shkon për shtat një pushteti që duhet të arbitrojë drejtësinë.
Rama përdori edhe metafora sportive për të ilustruar qëndrimin e tij, duke deklaruar se gjyqtarët nuk mund të jenë njëkohësisht arbitër dhe lojtar, ndërsa ironizoi duke thënë se nëse shoqata dëshiron të bëjë politikë, duhet të regjistrohet si parti dhe të paraqesë platformën e saj.



