Fushata elektorale e partive politike, duket se po shoqërohet me tensione, kryesisht në qarkun e Lezhës.
Pas akuzave të artikuluara ditën e djeshme nga dy forcat kryesore politike në vend, PD-PS për shitblerje votash dhe kërcënime, një tjetër ngjarje pretendohet nga kryebashkiaku i Lezhës se ka ndodhur mbrëmjen e djeshme.
Pjerin Ndreu akuzon PD-në se bandat e tyre i kanë bllokuar rrugën zv.kryetarit të bashkisë Fatjon Zefit dhe kryetarit të PS Kolsh, Andi Markut.
Sipas Ndreut, “moslejimi i lëvizjes në zonat e veta dhe bllokimi i rrugëve me alibinë idiote se po blihen vota, është shkelje flagrante e ligjit”.
Kryebashkiaku pretendon gjithashtu se karvanë me makinë me militantë të PD-së me armë lëvizin gjatë natës duke bërë presione.
“Pseudo gangsterë të ardhur gjoja me forcë elektorale, do shfryhen si tullumbace më 12 Maj!
Bllokimi i rrugës së zv.kryetarit të Bashkisë Fatjon Zefi, i cili njihet si një nga djemtë më me integritet në Lezhë, është vetëdemaskimi më i qarte i farsës së ashtuquajtur, “mbrojtje vote”!
Lezha s’jua ka borxh këtë sjellje primitive dhe provokim të ulët!”, shkruan Ndreu në rrjetin social Facebook.
Në linjën e akuzave dhe kërcënimeve që kanë shoqëruar këtë fushatë, sipas dy forcave kryesore politike në vend, një ditë më parë kandidati për deputet i Partisë Demokratike Gjin Gjoni, hodhi akuza ndaj disa zyrtarëve lokalë si të përfshirë në blerje votash, deklarata ndaj të cilave Partia Socialiste ju kundërpërgjigj me një kallëzim penal.
Po ashtu, po në të njëjtën ditë (5 maj), Partia Socialiste depozitoi kallëzim për kërcënim me armë ndaj kryetarit të PS dhe babait të kandidates socialiste të qarkut Lezhë.