Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka refuzuar të largohet nga ambientet e Kuvendit, duke qëndruar për disa orë pas derës së mbyllur ku po zhvillohet mbledhja e Këshillit të Mandateve. Mbledhja ka në fokus shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me Belinda Ballukun, çështje e cila ka ngjallur debate të forta politike dhe institucionale.
Shehaj ka kërkuar me insistim që të lejohet të marrë pjesë në mbledhje, si dhe që diskutimet mes anëtarëve të Këshillit dhe tre prokurorëve të SPAK të zhvillohen në prani të përfaqësuesve politikë dhe publikut. Megjithatë, kjo kërkesë është refuzuar nga kryetari i Këshillit të Mandateve, Niko Peleshi, i cili ka vendosur që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Pavarësisht refuzimit, Agron Shehaj ka zgjedhur të mos tërhiqet. Ai ka qëndruar pas derës së sallës ku po mbahet mbledhja, duke deklaruar se nuk do të largohet dhe se prania e tij aty është një formë presioni politik dhe moral për transparencë. Gjatë gjithë kohës, Shehaj ka transmetuar live zhvillimet përmes një lidhjeje direkte në Facebook, duke informuar ndjekësit për çdo lëvizje që ndodh në korridoret e Kuvendit.
Në një moment, gjatë transmetimit live, është parë të dalë nga mbledhja deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Menjëherë, Shehaj i është drejtuar me pyetjen: “Hë, çfarë u bë?”, duke kërkuar informacion mbi atë që po diskutohej brenda.
Bardhi u përgjigj se qëndrimi i Partisë Demokratike mbetet i pandryshuar, duke theksuar se opozita vijon të kërkojë që mbledhja e Këshillit të Mandateve të zhvillohet me dyer të hapura dhe që përfaqësuesit politikë të lejohen të marrin pjesë në diskutime. Sipas tij, kjo kërkesë është ngritur edhe gjatë mbledhjes, por nuk është pranuar nga shumica.
Pas bisedës me Bardhin, Shehaj deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe se do të vijojë të qëndrojë aty deri në përfundim të mbledhjes. Ai shtoi se herë pas here po troket në derën e sallës, si një mënyrë simbolike për t’u kujtuar anëtarëve të Këshillit se ai ndodhet jashtë dhe po kërkon transparencë.
“Trokas që ta kuptojnë që vijoj të jem këtu, por trokas lehtë që të mos i shqetësoj”, u shpreh Shehaj gjatë transmetimit live, duke ironizuar situatën dhe vendimin për ta mbajtur mbledhjen të mbyllur.
Qëndrimi i Shehajt është parë si një akt simbolik proteste ndaj mënyrës se si po trajtohet kërkesa e SPAK, ndërsa mbledhja e Këshillit të Mandateve vijon të zhvillohet larg syve të publikut dhe mediave. Situata ka shtuar tensionet politike në Kuvend, në një moment kur çështja Balluku dhe hetimet e SPAK janë kthyer në një nga temat më të nxehta të aktualitetit politik në vend.



