back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetDokumentet që rrëzojnë Berishën?/ Kokalari publikon kontratën e lobimit në SHBA

Dokumentet që rrëzojnë Berishën?/ Kokalari publikon kontratën e lobimit në SHBA

Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka rikthyer në vëmendje çështjen e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, duke publikuar dhe komentuar dokumente zyrtare që, sipas saj, tregojnë se kontrata me firmën lobuese Continental Strategies kishte si qëllim kryesor heqjen e sanksioneve “non grata” ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Kokalari thekson se problemi nuk lidhet vetëm me shumën e kontratës, por me mënyrën se si ky lobim u paraqit publikisht gjatë fushatës elektorale dhe me deklarimet e vetë Berishës, i cili ka mohuar se kontrata kishte lidhje me interesat e tij personale.

“Continental është i kontraktuar për kauzat e drejta të PD-së… nuk ka asnjë sekret dhe gjithçka është transparente”, citon Kokalari një deklaratë të Berishës në konferencë për shtyp, ku ai pretendonte se lobimi synonte vetëm përmirësimin e marrëdhënieve mes Partisë Demokratike dhe SHBA-së.

Sipas Kokalarit, dokumentet e depozituara pranë FARA-s e rrëzojnë këtë version. Ajo thekson se në një deklarim të bërë më 1 dhjetor 2025 nga Continental Strategies rezulton se 750 mijë dollarë janë transferuar drejtpërdrejt nga Partia Demokratike e Shqipërisë për pagesën e shërbimeve lobuese.

“Pra, nuk ishin demokratët e diasporës dhe as individë privatë që paguan, por vetë Partia Demokratike”, shkruan Kokalari, duke shtuar se kjo bie ndesh me narrativën publike të ndërtuar gjatë fushatës në studiot televizive.

Ajo vë në dukje gjithashtu se në dokumentet e Continental pranë FARA-s përmenden telefonata, email-e dhe takime me përfaqësues të Departamentit të Shtetit, të cilat fillimisht janë klasifikuar si “American Policy towards Albania”, por më pas janë specifikuar qartësisht si “Assessment of 7031(c)”, një referencë direkte ndaj nenit të ligjit amerikan që parashikon ndalimin e hyrjes në SHBA për zyrtarë të huaj të përfshirë në korrupsion.

“Këtu nuk ka më asnjë dyshim se ky ishte lobim për Sali Berishën dhe familjen e tij”, shkruan Kokalari, duke argumentuar se qëllimi real i kontratës ishte heqja e sanksioneve dhe, nëse ishte e mundur, sigurimi i një vize për Berishën.

Në fund të reagimit, ajo ngre pikëpyetje për institucionet shqiptare, duke kërkuar reagim nga SPAK dhe KQZ: nëse këto fonde janë deklaruar, nëse përdorimi i fondeve partiake për çështje personale është i ligjshëm dhe nga cili burim kanë ardhur 750 mijë dollarët e transferuar nga PD-ja.

Reagimi i Kokalarit e rikthen në qendër të debatit një çështje të mbetur pezull: nëse lobimi në SHBA ka qenë për interesa të përgjithshme të Partisë Demokratike apo për një kauzë strikt personale të kryetarit të saj, me pasoja të mundshme politike dhe ligjore.

Evi Kokalari publikon dokumente mbi lobimin e PD-së në SHBA: Kontrata

Evi Kokalari publikon dokumente mbi lobimin e PD-së në SHBA: Kontrata

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat