SPAK ka përfunduar hetimet për dy prej emrave më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, Talo Çelën dhe Festim Qolin, duke ngritur akuza të reja për dy vrasje të rënda që ndodhën në vitet 2012–2013.
Festim Qoli akuzohet për vrasjen e Elvis Dedajt dhe për porositjen e ekzekutimit të nënës së tij, Fatmira Dedaj, ndërsa Talo Çela përfshihet në aktakuzë për vrasjen makabre të Fatmira Dedajt, e cila sipas hetimeve, u dhunua dhe ther me thikë pasi kërkonte drejtësi për të birin.
Vrasje që tronditën Kavajën, zbardhen pas më shumë se një dekade
Sipas SPAK, rrëfimet e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani ishin çelësi për zbardhjen e dy ngjarjeve të mbetura për vite me radhë pa autorë.
Elvis Dedaj u qëllua për vdekje më 5 qershor 2012 në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Mbi të u derdh një breshëri plumbash në një atentat tipik mafioz. Vetëm një vit më pas, më 2013, ndodhi një tjetër ngjarje e rëndë – nëna e tij, Fatmira Dedaj, u vra në mënyrë mizore.
Dumani ka rrëfyer para hetuesve se urdhri për vrasjen e Elvisit erdhi nga Festim Qoli, ndërsa autor i drejtpërdrejtë i vrasjes së nënës së tij ishte Talo Çela, në atë kohë një nga figurat më të rrezikshme të nëntokës shqiptare.
Talo Çela dhe Festim Qoli, përballë drejtësisë për vrasje të dyfishtë
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza të reja për vrasje me paramendim dhe në bashkëpunim, duke i shtuar edhe më tej dosjen kriminale dy prej më të kërkuarve të viteve të fundit. SPAK pritet t’i paraqesë materialet në gjykatë për të nisur procesin penal.
Zbardhja e këtyre vrasjeve vjen në kuadër të hetimeve të thelluara që SPAK ka hapur ndaj grupeve kriminale me bazë në Durrës, Elbasan e Kavajë, ku dëshmia e Nuredin Dumanit ka ndihmuar në riaktivizimin e mbi 15 dosjeve për vrasje të pazbardhura.