Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka, ka shprehur skepticizëm lidhur me marrëveshjen mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke theksuar se vendi ka nevojë urgjente për një Kod të ri Zgjedhor.
Në një intervistë për News24, Duka tha se pret që komisioni i ngritur të japë një produkt konkret, ndonëse shprehu dyshime se palët do të arrijnë konsensus pas dekadash debat pa rezultat.
“Urojmë që ky komision të ketë produkt. Nëse punohet seriozisht, s’ka rëndësi kush është brenda. Është Fatmiri (Mediu) prezent, që ka qenë kundër Kodit Zgjedhor. Duhet të ketë produkt final, se lamë kokrrën e namit. Jemi 30 vite që nuk biem dakord për një Kod të ri,” – deklaroi Duka.
Sipas tij, edhe brenda opozitës mungon vullneti për ndryshim, pasi shumë përfaqësues mendojnë për interesat personale dhe jo për sistemin.
“Le t’i fshijnë partitë e vogla nëse nuk i duan, por duhet një Kod tjetër që të marrë parasysh të gjitha vërejtjet politike. Njerëzit që përfaqësojnë opozitën shikojnë më shumë interesin e tyre personal. Po s’u bë deputet, nuk është fundi i botës, ka shumë punë të tjera,” – u shpreh ai.
Duka u ndal edhe te raporti i OSBE/ODIHR, duke kujtuar se rekomandimet e këtij institucioni janë përsëritur çdo vit pa u zbatuar.
“Kam 20 e ca vite që merrem me këtë punë dhe ODHIR gjithmonë ka thënë të njëjtën gjë. Nëse opozita ka rezistencë, maxhoranca nuk do arrijë të bëjë gjëra vetëm në interes të vet,” – shtoi ai.
Kreu i PAA tha se opozita duhet të tregojë më shumë forcë dhe energji të reja, duke përmendur edhe përfaqësuesin e PD-së në komision, Oerd Bylykbashin.
“Herën e fundit Bylykbashi nuk u tregua aq i fortë përballë skuadrës së Ramës. PD po tregon brenda gjirit të vet se nuk ka energji të reja. Vazhdon me të njëjtat klishe. Berisha dhe të tjerët duhet të vlojnë brenda vetes, të sjellin njerëz me energji të reja,” – përfundoi Duka.



