Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një tryezë të organizuar nga organizatat që monitoruan zgjedhjet e 11 majit, bëri publike shifrat e hetimeve për krimet zgjedhore, duke dhënë një pasqyrë të detajuar të punës së institucionit që ai drejton.
Dumani njoftoi se SPAK ka administruar gjithsej 192 materiale që lidhen me dyshime për krime zgjedhore. Nga këto, 43 janë regjistruar si procedime penale, ndërsa për 40 materiale është vendosur mosfillimi i hetimit për mungesë të elementit penal.
Sipas kreut të Prokurorisë së Posaçme, 40 materiale janë përcjellë pranë prokurorive të rretheve, 22 janë ende në verifikim nga policia, dhe 17 janë bashkuar me çështje ekzistuese.
Çfarë përmbajnë 43 procedimet penale?
35 raste për korrupsion aktiv gjatë zgjedhjeve
4 raste për korrupsion aktiv dhe pasiv
1 rast për përdorim të funksionit publik për qëllime private
1 për keqpërdorim të detyrës
1 për kanosje apo dhunë ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje
Burimi i procedimeve:
22 referime nga policia e shtetit
9 të nisura me iniciativë të vetë SPAK
4 nga subjektet politike
3 nga qytetarët
3 nga prokuroritë e tjera
1 nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve
1 si vazhdim i një çështjeje të mëparshme penale.