Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar këtë të martë në lidhje me përmbytjet e shkaktuara në qytetin e Durrësit, pas reshjeve intensive të shiut që kanë nisur që prej mbrëmjes së kaluar.
Përmes një reagimi publik, Berisha ka publikuar pamje nga zona të ndryshme të Durrësit, ku shihen rrugë të mbuluara nga uji, ndërsa ka fajësuar autoritetet vendore dhe qendrore për situatën e krijuar.
Sipas tij, përmbytjet janë pasojë e politikave të dështuara urbanistike, mungesës së investimeve në infrastrukturë dhe neglizhencës ndaj sistemit të kanalizimeve. Berisha thekson se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi qeverinë dhe pushtetin lokal, të cilët, sipas tij, nuk kanë marrë masat e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e këtyre problematikave.
Reagimi i kreut të PD-së vjen në një kohë kur disa zona të Durrësit po përballen me vështirësi në qarkullim dhe dëme të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut.



