Gazetari Elton Qyno ia ka dalë sërish kundër Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kësaj here GJKKO ka detyruar SPAK t’i kthejë gazetarit materialet e fundit të sekuestruara, të cilat janë 54 fletë me deklarata të personave të të pandehurve.
Këto dokumenta janë sekuestruar nga SPAK në dhjetor të 2023-it, ku sipas gazetarit Qyno Gjykata e Lartë kishte vendosur që t’i ktheheshin me vendim të datës 16 dhjetor 2024.
“Kishim bërë një kërkesë për kthimin e një nga provat e fundit që SPAK mbante të sekuestruar. Bëhet fjalë për 54 fletë deklarime që i përkisnin një procesi gjyqësor në GJKKO. Edhe pse Gjykata e Lartë kishte vendosur kthimin e tyre, SPAK këmbëngulte për ta mbajtur, duke mos i rikthyer si send që unë, si gazetar investigativ, e kisha siguruar nga rrugë burimore”, deklaroi Qyno pas seancës.
Ndërkohë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 22 prill të këtij viti, ku Qyno fitoj kundër SPAK, ai i kishte dërguar një letër kryeprokurorit Altin Dumanit duke i kërkuar kthimin e materialeve të fundit. Sipas Qynos, Dumani e kishte refuzuar përmes një letër zyrtare dhe për këtë arsye i është drejtuar gjykatës.
“Dumani e refuzoi përmes një shkrese zyrtare, ndaj iu drejtuam gjykatës. Sot, GJKKO na dha të drejtë dhe gjyqtari urdhëroi kthimin e provës”, tha Qyno.
Gjithashtu, avokati i gazetarit, Dorian Matlija, është shprehur se ky ishte kapitulli i fundit i procesit të tejzgjatur, ndërsa thekson se herë pas here SPAK u është drejtuar duke thënë se materialet nuk kthehen pasi janë marrë në mënyrë të paligjshme.
“Vendimi i sotëm ishte kapitulli I fundit, pas asaj që ndodhi në Gjykatën Kushtetuese, e cila e vlerësoi të gjithë procesin anti kushtetues. Gjykata e Lartë më herët kishte vendosur që sendet duhet të ktheheshin sepse nuk kishte më sens kohor të mbaheshin kaq gjatë. SPAK thoshte që nuk I kthejmë sepse janë marrë në mënyrë të paligjshme, se janë dokumente nga dosja. GJKKO e mbylli këtë kapitull, duke thënë se pak rëndësi ka si I ka marrë gazetari, është puna e tij, e rëndësishme është që ka të drejtë t’i disponojë ato.
Pas atij të kushtetueses, që vendosi standardin e ruajtjes së burimit të gazetarit, sot kemi standardin tjetër që gazetari edhe sikur të ketë materiale të siguruara në mënyrë të “errëta” ai ka të drejtë t’i disponojë ato. Përshëndes gjykatën që na dha të drejtë. Kjo është shernjë e mirë që kemi të bëjmë me një sistem gjyqësor që reflekton”, është shprehur avokati.
Kujtojmë se më 22 prill, Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin për gazetarin Elton Qyno, i cili kishte kërkuar shpalljen e pavlefshme të kontrolleve të SPAK në banesën, zyrën e tij dhe sekuestrimin e mjeteve të punës.
Sipas njoftimit të Gjykatës, mësohet se ka marrë në shqyrtim çështjen, duke shfuqizuar vendimet gjyqësore në lidhje me kontrollin personal, të banesës dhe vendit të punës si dhe sekuestrimin e sendeve dhe të dhënave kompjuterike.