Deputeti Erion Braçe ka reaguar ashpër ndaj situatës së parkimeve pranë shkollës “At Zef Pllumi” në Tiranë, duke akuzuar disa persona për shfrytëzim të hapësirave publike në mënyrë abuzive.
Në një postim në Facebook, Braçe thotë se, megjithëse ishte vendosur që tek kjo shkollë nuk do të lejohej parkimi i automjeteve, çdo mbrëmje disa persona heqin barrierat dhe vendet e lira i përdorin për të parkuar makina kundrejt pagesës.
Sipas tij, qytetarët jo vetëm po bezdisen nga ky fenomen, por po u merren edhe para në mënyrë të padrejtë, madje edhe kur parkojnë në anë të rrugës. Deputeti socialist i bëri thirrje institucioneve përkatëse të ndërhyjnë menjëherë për t’i dhënë fund këtij abuzimi.
“Njerëzit më të padurueshëm në këtë qytet janë hileqarët. Bëjnë sikur u binden, por çdo mbrëmje heqin barrierat dhe bëjnë lekë prej tyre. Kjo cenon besimin e qytetarëve tek institucionet”, shkruan Braçe.
Braçe u shpreh i gatshëm ta denoncojë çdo ditë këtë situatë, por kërkoi që zgjidhja të vijë nga institucionet, të cilat kanë detyrimin ligjor për ta parandaluar.