Deputeti socialist Erion Braçe dhe Adriatik Lapaj të “Shqipëri bëhet”, janë përplasur në distancë me akuza e kundërakuza.
Braçe ka akuzuar Lapaj, pasi sipas tij, ka sulmuar aktivistët socialistë në Divjakë.
“Më dëgjo mua tani ti fashist i vogël i Salih Berishës: Fatjon Lena nuk është zëvendësministër.
Nuk ka qenë kurrë zevendësministër e as do qe te jetë. Është ndër shumë socialistë të drejtë e të ndershëm që nuk kanë përfituar “punë shteti” nga pushtetet e Partisë Socialiste.
Borderotë e shtetit janë publike por nuk presin t’i verifikosh ti, përkundrazi janë aty për të dëshmuar që ti je një gënjeshtar që as skuqesh e as zverdhes kur gënjen çdo ditë.
Fatjon Lena është socialist, punëtor partie, vullnetar dhe bën një super punë çdo ditë me njerëzit e Divjakës.
Jo për të blerë vota sepse kurrë nuk ka ndodhur në këtë territor që një socialist, nga unë i pari, tek më i fundit, të blejë votë me lekë. Gjeje ti njërin e nxirre të thotë ndryshe.
Ne nuk jemi as Salihu e as ti-fashisti i vogël i tij.
Tani dëgjo e mbaje vath në vesh:
Ndale shantazhin e kërcënimin ndaj njerëzve që as i njeh e as të kanë borxh, veçanërisht ndaj njerëzve të Partisë Socialiste.
Ndale, ndalu ti dhe erëkeqi yt me te cilin e me paratë e të cilit vjen rrotull në Divjakë!
Harroje ti dhe erëkeqi yt me vapor se paratë e ndyra të trafiqeve që ju rrethojnë do trembin qoftë dhe një socialist apo do blejnë qoftë dhe një qytetar apo bujk të Divjakës. Harroje”, shkruan ndër të tjera Braçe.
Reagimi i Lapajt
Nga ana tjetër Adriatik Lapaj, ka deklaruar pyblikisht se prej dy ditësh Erion Braçe e kërcënon.
Lapaj i bën thirrje Braçes që të tërhiqet nga kërcënimet.
“Erion Braçe, deputeti i Parlamentit ka 2 ditë që më kërcënon mua personalisht.
Më kërcënon se po përballem me bandat e vjedhjes së votës dhe detyrimit te administratës për votat e diasporës.
E di gjithë Shqipëria që ju si parti po kërcënoni krejt administratën për listat e votave në diasporë, o Erion! Mos merr flamurin e vjedhjes së votës; o Erion!
Mos e kthe personale, o Erion!
Po kërcënoni njerëzit në administratë, o Erion!
Ka prova pafund o Erion!
Unë ty nuk të kam llogari fare, o Erion!
Kur guxon e bënë me mua publikisht imagjino çfarë u bën pas kamerave punonjësve të shtetit, o Erion!
Nga sot, sa kohë me pushtetin që ke më kërcënove publikisht unë dhe krejt familja ime të mbajmë ty përgjegjës për çdo milimetër dëm që më vjen, o Erion.
Rri rehat! Merre qetë se nuk e ke shtetin personal.
Mos përdor pushtetin politik për të më kërcënuar, o Erion! Ke rreth 25 vite deputet, o Erion! Unë jam nga ata që nuk bëj pas, o Erion!
Mos e kthe personale!
Mblidh zagarët që po kërcënojnë administratën”, shkruan Lapaj.