Biznesmeni Ermal Beqiri është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Burime të mediave raportojnë se qëndrimi i tij ka qenë i shkurtër, ndërsa ai është parë të largohet pak çaste më pas.
Ende nuk bëhet e qartë arsyeja e thirrjes së Beqirit. Sipas raportimeve të mëparshme, ai është një emër aktiv në tregun e teknologjisë së informacionit dhe përfitues i një numri të konsiderueshëm tenderash publikë, përfshirë ato të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Më herët, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Soft & Solution”, në pronësi të biznesmenit.
Megjithatë, nuk dihet nëse thirrja e tij në SPAK lidhet direkt me tenderat e fituar nga kompania ose nëse është pjesë e një hetimi më të gjerë që po kryhet nga organi i posaçëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Hetimet pritet të japin më shumë detaje mbi arsyet e prezencës së Beqirit në SPAK, ndërkohë që autoritetet nuk kanë bërë ende deklarata zyrtare për publikun.