back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetBotaEuropa ngrin: Borë, erëra deri 216 km/orë dhe viktima

Europa ngrin: Borë, erëra deri 216 km/orë dhe viktima

Një valë e fortë moti ekstrem me reshje shiu, bore dhe erëra të furishme ka përfshirë pjesën më të madhe të Europës, duke shkaktuar të paktën 13 viktima, kaos në transport, mbyllje shkollash dhe ndërprerje masive të energjisë elektrike.

Sipas të dhënave satelitore, rreth 8 milionë kilometra katrorë territor, ose afro 80% e Europës, janë mbuluar nga dëbora, duke shënuar një rekord të ri që tejkalon edhe dimrin e ashpër të vitit 2010.

Itali, temperatura ekstreme deri në -23°C

Italia po përballet me një nga valët më të forta të të ftohtit të këtij shekulli. Në Asiago, temperaturat kanë zbritur deri në -23 gradë Celsius, ndërsa në Alpet verilindore parashikohet që termometri të shënojë deri në -20 gradë. Vlera ekstreme janë regjistruar edhe në zona të tjera alpine, me -20°C në Livigno, -15°C në Cortina, -14°C në Bolzano dhe -12°C në Trento. I ftohti ka përfshirë edhe jugun e vendit, me temperatura nën zero deri në Kalabri, ndërsa në Siçili bora ka zbardhur majat më të larta të vargmalit Madonie.

Stuhi të fuqishme në Britani dhe Francë

Në Mbretërinë e Bashkuar, stuhia Goretti goditi rëndë Cornwall-in dhe disa zona të Wellsit, me erëra që arritën shpejtësinë deri në 160 km/orë. Rreth 50 fluturime u anuluan në aeroportin Heathrow, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar. Dhjetëra mijëra familje mbetën pa energji elektrike, ndërsa një burrë rreth të 50-ave humbi jetën në qytetin Helston pasi një pemë u rrëzua mbi karavanin e tij.

Në Francë, e njëjta stuhi shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike për rreth 320 familje, kryesisht në Normandinë Veriore. Në disa zona, erërat arritën shpejtësi deri në 216 km/orë, duke rrëzuar pemë dhe dëmtuar banesa.

Gjermania dhe Europa Qendrore në paralizë

Gjermania Veriore u përball me ndërprerje të energjisë, transportit dhe komunikimit për shkak të stuhisë Elli, e cila solli reshje të dendura bore dhe erëra të forta. Shkollat u mbyllën në Hamburg dhe Bremen, ndërsa trafiku hekurudhor në distanca të gjata u pezullua. Autoritetet njoftuan se disa linja do të rikthehen gradualisht, por lidhjet nga Hamburgu drejt Kopenhagës, Amsterdamit dhe Hanoverit mbeten të ndërprera.

Fluturime të shumta u anuluan edhe në aeroportin e Hamburgut, ndërsa disa autostrada në Frankfurt u bllokuan nga bora dhe aksidentet.

Probleme serioze janë raportuar edhe në Europën Qendrore dhe Lindore. Trafiku ajror u ndërpre nga Çekia deri në Rusi, ku mbi 300 fluturime u anuluan në katër aeroportet kryesore që shërbejnë Moskën.

Autoritetet në të gjithë kontinentin u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë, ndërsa pritet që kushtet e vështira atmosferike të vijojnë edhe në ditët në vijim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat