Përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian dhe ministrat e jashtëm evropianë kanë kritikuar planin e paqes me 28 pika, të propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, duke theksuar se Evropa duhet të jetë pjesë e tryezës dhe se Ukraina nuk mund të detyrohet në lëshime territoriale.
Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për çështjet e jashtme, tha se:
“Ne mbështesim një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, por çdo plan që të funksionojë duhet që Evropa dhe Ukraina të jenë në tryezë. Ka një agresor dhe një viktimë: nuk dëgjojmë koncesione nga Rusia, bombat ende bien mbi civilët.”
Ministri francez i Jashtëm, Jean-Noel Barrot, e quajti çdo kapitullim të Ukrainës të papranueshëm dhe theksoi se negociatat duhet të nisin me një armëpushim në vijën e kontaktit. Ai shtoi se Putini është i vetmi që refuzon të ulet në tryezë.
Ministri italian i Jashtëm, Antonio Tajani, tha se Evropa duhet të zhvillojë rolin e saj dhe të jetë pjesë aktive e çdo propozimi, duke kujtuar se Ukraina është një barrierë sigurie për Evropën. Po ashtu, ministri polak i Jashtëm, Radosław Sikorski, kërkoi që çdo kufizim të rëndojë mbi agresorin dhe jo viktimën.
Edhe vendet skandinave shprehën shqetësime. Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Løkke Rasmussen, kërkoi rritjen e presionit mbi Rusinë dhe efektivizimin e sanksioneve, ndërsa homologja suedeze, Maria Malmer Stenegard, denoncoi mbështetjen negative ndaj Ukrainës, duke krahasuar ndihmën e dhënë me importet nga Rusia.
Ajo shtoi se bisedimet paqësore nuk mund të jenë të arsyeshme pa rritjen e mbështetjes për Ukrainën dhe presionin mbi Rusinë, duke sugjeruar përdorimin e aktiveve të ngrira ruse për të ndihmuar vendin e sulmuar.
Këshilli për Çështjet e Jashtme i BE-së mblidhet sot në Bruksel, ndërsa Evropa kërkon të ketë një rol më aktiv në çdo plan paqeje për Ukrainën.



