Qeveria ka prezantuar paketën fiskale që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2026, e cila përfshin një grup ndryshimesh tatimore, duke kombinuar falje detyrimesh, lehtësime tatimore, si dhe rritje për disa sektorë specifikë.
Një nga risitë kryesore të paketës është “paqja fiskale”, e cila përfshin faljen e detyrimeve dhe gjobave të vjetra deri në vitin 2014, ndërsa për vitet pasuese parashikohen lehtësime me kushte.
Lehtësime për fermerët dhe familjet
Fermerët përfitojnë një kompensim TVSH prej 10% të vlerës së faturave të shitjes, për të nxitur formalizimin dhe rritur konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.
Në sektorin e pasurive të paluajtshme, tatimi mbi rivlerësimin propozohet të ulet nga 15% në 5%.
Prindërit përfitojnë një masë sociale: 48 mijë lekë zbritje tatimi për çdo fëmijë nën 18 vjeç.
Eksperti fiskal, Gjergj Tafa, tha se:
“Qeveria ka ndjekur një kombinim masash: inkurajim pozitiv për sektorët që kanë impakt pozitiv dhe rritje tatimesh ku nevojitet për të dekurajuar praktikat që deformojnë ekonominë. Paqja fiskale është një vijë e hollë që ndan të rregulltat nga të parregulltat.”
Rritje taksash për disa sektorë
Sektori i teknologjisë largohet nga skema lehtësuese: tatimi mbi fitimin për IT rritet nga 5% në 15%.
Akciza për disa mallra, përfshirë birrën, naftën dhe kafen, rritet me 1.5%, ndërsa plani për cigaret vazhdon sipas progresionit.
Taksa e karbonit rritet nga 3 lekë në 4.5 lekë për kilogram, duke përfshirë një dimension mjedisor.
Ndryshime në procedurat tatimore
Paketa përfshin edhe risi administrative, duke synuar digitalizimin e shërbimeve:
Aktet administrative do të dërgohen me nënshkrim elektronik;
Subjektet do të publikojnë të dhënat e biznesit online;
Ulje e kufirit për pagesat cash;
Detyrimi për pajisje me terminal POS.
Sipas ekspertëve, këto ndryshime do të reduktojnë përdorimin e parasë cash dhe do të përmirësojnë transparencën fiskale.
Qeveria njofton se paketa fiskale do të dorëzohet në Kuvend, ndërsa është aktualisht në konsultim me grupet e interesit dhe partnerët ndërkombëtarë. Masat synojnë formalizimin e ekonomisë, mbështetjen e sektorëve strategjikë dhe rritjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit.



