back to top
18.5 C
Tirana
E mërkurë, 2 Korrik, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaFavorizuan ndërtuesit në 18 raste/ Hetimi zbardh abuzimin me lejet e ndërtimit...

Favorizuan ndërtuesit në 18 raste/ Hetimi zbardh abuzimin me lejet e ndërtimit në Korçë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy zyrtarë të Bashkisë Korçë, shtetasit Zh. B. dhe E. Gj., të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, në bazë të nenit 248 të Kodit Penal.

Nga hetimet e zhvilluara mbi procedimin penal nr.1061, të vitit 2022, ka rezultuar se dy zyrtarët, të cilët kanë mbajtur pozicionet e Drejtoreshës së Drejtorisë së Urbanistikës dhe Përgjegjësit të Sektorit të Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Korçë, kanë kryer një sërë shkeljesh të ligjit, duke favorizuar subjekte ndërtuese në mënyrë të qëllimshme.

Sipas akuzës, në 18 raste, zyrtarët kanë aplikuar taksën e ndikimit në infrastrukturë në shkallë më të ulët se parashikimi ligjor, duke e reduktuar atë nga 8% në 3%, ndërsa në dy raste të tjera nga 4% në 3%. Një nga rastet më të rënda është ai i miratimit të lejes së ndërtimit për një kompleks me 4 pallate në lagjen nr. 3 të qytetit të Korçës, i cili ishte paraqitur si kompleks turistik, por kishte qëllim real banimi dhe tregtar.

Në këtë rast, ndërtuesit kanë paguar vetëm 3% taksë infrastrukture, kur ligjërisht duhej të paguanin 8%, duke sjellë një dëm ekonomik prej 36,000 euro për buxhetin e Bashkisë Korçë. Sipas Prokurorisë, ndryshimi i taksës është miratuar nga vetë drejtuesit e Urbanistikës, në kundërshtim me përcaktimet ligjore për zonat me status ansambël arkitektonik tradicional.

Gjithashtu, në disa raste, zyrtarët kanë miratuar vërtetime për certifikata përdorimi, duke fshehur qëllimin real të ndërtimit, edhe kur apartamentet ishin shitur tashmë si njësi banimi. Po ashtu, shtetasi E. Gj., sipas aktit të akuzës, ka firmosur raporte me përmbajtje të pavërtetë, duke anashkaluar detyrimet ligjore për kontrollin e ndërtimit dhe duke kontribuar në shkaktimin e dëmit financiar për bashkinë.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka vlerësuar se veprimet e dy zyrtarëve përbëjnë konsumim të plotë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, dhe kërkon mbajtjen e përgjegjësisë penale për secilin prej tyre.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat