Partia Demokratike ka nisur sot takimet me aleatët për të përcaktuar kandidatin që do të garojë për Bashkinë e Tiranës.
Tre të mandatuarit nga ish-kryeministri Sali Berisha për negociatat, Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti dhe Flamur Noka, zhvilluan mesditën e së shtunës një takim me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe kreun e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.
Pas mbledhjes, Noka deklaroi për mediat se PD mbetet e hapur për negociata me të gjitha partitë opozitare të qendrës dhe të djathtës, pa përjashtime.
“Takimi është me të gjitha parlamentare opozitare, nuk kemi asnjë vijë të kuqe me askënd. Ftesa jonë është për çdo parti të qendrës dhe të djathtës. Jemi të hapur për çdo figurë që do të parashtrohet nga aleatët. Mediu dhe Duka ranë dakord në parim për profilin e kandidaturës, ndërsa emrat do të diskutohen në vijim,” tha Noka.
Ai shtoi se opozita ka potenciale të denja dhe dinjitoze për Tiranën, duke nënvizuar se qytetarëve nuk duhet ofruar një figurë “fyese”.
Ky takim shënon fillimin e një serie negociatash të PD-së me aleatët për të dalë me një kandidaturë të përbashkët në garën për kryeqytetin.