Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, po udhëheq një fushatë kombëtare për lirimin e hapësirave publike të zaptuara, duke i kthyer ato në shërbim të qytetarëve. Aksionet inspektohen nga afër nga Koçiu, në bashkëpunim me kryetarët e bashkive, Policinë e Shtetit dhe agjenci të tjera shtetërore.
Së fundmi, një territor i madh në Laç, i përdorur prej vitesh si pikë grumbullimi për mjete të sekuestruara dhe të konfiskuara, u pastrua dhe iu kthye komunitetit. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë hapësirë 2.6 hektarësh janë të pozicionuara 1664 makina, nga të cilat 1100 për skrap. Inventari është përfunduar dhe tashmë do të nisë procedura e ankandit.
Ministrja Koçiu theksoi se aksioni nuk do të ndalet dhe synon që hapësira publike në të gjithë vendin të jetë e pastër, e sigurt dhe e përdorshme nga qytetarët. “Do ta vijojmë këtë aksion në të gjithë territorin, për t’ua kthyer qytetarëve hapësirat publike dhe për të pasur një Shqipëri më të pastër dhe më atraktive,” tha ajo.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nënvizoi se operacioni rrit edhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe pakëson nevojën për patrullime të shpeshta në këto hapësira të zaptuara. Kryetarja e Bashkisë Kurbinit, Majlinda Cara, vlerësoi aksionin si një iniciativë të rëndësishme për komunitetin dhe premtoi projekte për shfrytëzimin e hapësirës për nevoja lokale dhe turistike.
Ky aksion vjen pas operacioneve të ngjashme në Shkodër dhe është pjesë e një fushate më të gjerë të MPB-së për rikthimin e hapësirave publike tek qytetarët.



