back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 26 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Foltorja dështoi!”/ Spaho rrëfen prapaskenat dhe sulmon hierarkinë e PD

“Foltorja dështoi!”/ Spaho rrëfen prapaskenat dhe sulmon hierarkinë e PD

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka reaguar me një postim të gjatë në rrjetet sociale pas deklaratave të Hysni Alimerit, duke shpjeguar arsyet pse ka zgjedhur të flasë publikisht dhe duke adresuar një sërë problematikash të brendshme të PD-së. Në reagimin e tij, Spaho hedh poshtë akuzat se po sulmon partinë dhe thekson se kritikat e tij synojnë vetëm rikthimin e PD-së në rrugën e duhur.

Në fillim të reagimit, Spaho thekson se nuk e konsideron veten “Zeqine të partisë” dhe se gjatë gjithë karrierës së tij politike ka treguar pavarësi të plotë në qëndrime. Ai shton se askush nuk i ka “falur” poste apo pozicione, duke kujtuar se nuk ka pasur asnjë lidhje me strukturat e larta të PD, PS apo ish-PPSH-së.

Në vijim, ai rikthehet pas në kohë duke kujtuar pjesëmarrjen e tij që në ditët e para të pluralizmit. Sipas tij, disa ditë pas krijimit të PD-së, së bashku me një grup të rinjsh ka tentuar rrëzimin e monumentit të Leninit pranë Hotel “Dajtit”, si një simbolikë e ndarjes nga e kaluara komuniste.

Spaho: PD po humb vota dhe ka nevojë urgjente për ndryshim

Ish-deputeti thekson se arsyeja pse flet sot është performanca e dobët e PD-së në zgjedhjet e fundit. Sipas tij, krahasuar me vitin 2021 kur diferenca ishte 30 mijë vota nga PS, sot kjo diferencë ka arritur në 300 mijë vota, çka sipas tij përbën një alarm serioz për çdo demokrat. Spaho nënvizon se ndonëse nuk është më aktive në politikë dhe nuk synon asnjë post, mendon se është e domosdoshme që PD të rikthejë besimin e qytetarëve.

Ai thekson se shpesh ka folur brenda institucioneve të partisë, në grupin parlamentar dhe kryesi, por qëndrimet e tij nuk janë pritur mirë nga drejtuesit e PD-së. “Për këtë arsye më është treguar dera”, shprehet ai, duke shtuar se këtë e dëshmon edhe Flamur Noka.

Akuzat për zgjedhjet e vitit 2025: “U tentua të mos më votonin”

Në postimin e tij, Spaho ndalet edhe te zgjedhjet e vitit 2025, ku shprehet se struktura të caktuara të PD-së janë udhëzuar të mos e votojnë. Sipas tij, këtë kërkesë e ka bërë drejtuesi i qarkut dhe ish-ministri Flamur Noka, i cili me insistim ka kërkuar që votat t’i shkonin një kandidati tjetër. Spaho tregon edhe një episod ku një ish-deputete e PD-së i është përgjigjur Nokës duke thënë se “më mirë votoj kandidatin e PS-së sesa atë që më kërkon ti”.

Në këtë pikë, Spaho thekson se nga viti 2003 deri në 2021 nuk ka humbur asnjë garë elektorale në Korçë, duke hedhur poshtë çdo aludim për mungesë mbështetjeje nga votuesit.

8 pyetjet që Spaho i drejton drejtuesve të PD

Spaho sjell një listë me çështje që sipas tij kërkojnë analizë dhe përgjegjësi nga drejtuesit e PD-së:

– Pse PD votoi një sistem zgjedhor që favorizonte PS-në?
– Pse u këmbëngul për votimin e emigrantëve kur PD nuk ishte gati?
– Pse u zgjodh votimi me postë, duke u lënë hapësira patronazhistëve?
– Pse u zhvilluan primare vetëm dy muaj para zgjedhjeve?
– Pse nuk u respektuan rezultatet e primareve?
– Pse u udhëzua se cili kandidat duhet votuar dhe cili jo?
– Pse u lejua që kandidatët të bënin fushatë për favoritët e tyre?
– Pse baza e PD-së është pa struktura dhe pa fonde, ndërsa financat shpenzohen për persona të jashtëm?

“Foltorja dështoi sepse braktisi parimet”

Spaho i rikthehet edhe ngjarjeve të vitit 2021, duke thënë se ai ishte një nga mbështetësit e parë të Foltores, por sipas tij lëvizja dështoi sepse devijoi nga parimet dhe i la në rrugë ata që e mbështetën me bindje dhe sakrificë.

Në fund të reagimit, ai i drejtohet personalisht Hysni Alimerit duke i thënë se ai nuk flet për interesa personale, pasi ka qenë gjithmonë i lirë dhe i pavarur. Spaho thekson se e bën këtë reagim thjesht sepse i dhimbset Partia Demokratike, të cilës i ka shërbyer për 35 vite.

Ai sfidon çdo akuzë për përfitime apo korrupsion, duke i kërkuar Alimerit që nëse ka fakte të flasë publikisht. “Ju duhet të më falënderoni që flas sot kur nuk kam asnjë interes. Të tjerat janë llogje pazari”, përfundon Spaho, duke mbyllur polemikën.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat