Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) do të zgjerohet me 10 oficerë të rinj hetimi, sipas një njoftimi zyrtar të bërë publik nga SPAK.
Procedurat e rekrutimit janë hapur për 10 pozicione në funksionin “Oficer i Policisë Gjyqësore në Byronë Kombëtare të Hetimit – Kategoria 60% e G3”.
Sipas njoftimit, pozicionet janë të hapura për punonjësit që gëzojnë statusin e Oficerit të Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, të cilët aktualisht ushtrojnë detyrën në institucionet e mëposhtme:
1 oficer nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Policinë e Shtetit;
1 oficer nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar;
1 oficer nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik;
1 oficer nga Drejtoria e Antiterrorit;
1 oficer nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit;
1 oficer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore;
2 oficerë nga Drejtoria e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve;
2 oficerë nga Drejtoria e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
SPAK bën me dije se qëllimi i këtij zgjerimi është forcimi i kapaciteteve hetimore të BKH-së, me qëllim rritjen e efikasitetit në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.