back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 31 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaFund naftës falas për fermerët/ Nis skema e re me pagesë

Fund naftës falas për fermerët/ Nis skema e re me pagesë

Qeveria ka vendosur të heqë skemën e furnizimit me naftë falas për fermerët, duke e zëvendësuar atë me një model të ri mbështetjeje financiare direkte.

Sipas skemës së re kombëtare për bujqësinë, e cila pritet të prezantohet nga Andis Salla, fermerët do të përfitojnë për herë të parë pagesë direkte për sipërfaqen e mbjellë. Konkretisht, çdo bujk do të marrë 100 euro për çdo hektar tokë të kultivuar.

Ky ndryshim vjen në një kohë kur kostot e karburantit janë rritur ndjeshëm, duke detyruar fermerët të përballojnë vetë çmimin e naftës për punimin e tokës.

Fondi total i skemës kombëtare për vitin 2026 është 52 milionë euro dhe do të shpërndahet në disa masa mbështetëse për sektorë të ndryshëm të bujqësisë dhe blegtorisë.

Në blegtori, subvencionet do të arrijnë deri në 12 mijë lekë për krerë për gjedhët, me kusht që fermerët të kenë të paktën 5 lopë, ndërsa për tufat mbi 50 krerë masa përgjysmohet. Për të imtat, si dele dhe dhi, përfitimi do të jetë 1500 lekë për krerë, por vetëm për fermat me mbi 50 krerë.

Bletaria merr një vëmendje të shtuar, ku subvencioni rritet në 2000 lekë për zgjua, me minimum 25 koshere, ndërsa për fermat mbi 150 koshere masa ulet në 50%.

Ndërkohë, për rritjen e derrave, mbështetja do të arrijë deri në 7000 lekë për krerë, me kusht minimal 5 dosa, ndërsa fermat e mëdha do të përfitojnë më pak në përqindje.

Një tjetër risi është mbështetja për kontrollin biologjik në bujqësi, ku fermerët do të përfitojnë 70% të vlerës së faturave, si dhe subvencione për fermat organike që arrijnë deri në 200 mijë lekë për produktet e certifikuara.

Gjithashtu, fermerët me certifikim GlobalG.A.P. do të përfitojnë 175 mijë lekë për sipërfaqe mbi 1 hektar.

Skema përfshin edhe mbështetje për peshkatarët dhe investimet në ferma, ku fermerët e rinj mund të përfitojnë deri në 70% të vlerës së investimit, ndërsa fondi total për investime arrin në 2.5 miliardë lekë.

Ndryshimi më i madh mbetet heqja e naftës falas dhe zëvendësimi i saj me pagesë direkte për tokën e punuar, një politikë që synon të nxisë prodhimin, por që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në kostot e fermerëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat