back to top
20.5 C
Tirana
E enjte, 14 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaPaqja fiskale ‘eksportohet’/ 2 ligje në pritje të miratimit ndërkombëtar

Paqja fiskale ‘eksportohet’/ 2 ligje në pritje të miratimit ndërkombëtar

Paketa e “paqes fiskale” është rikthyer në qendër të debatit, teksa qeveria shqiptare synon të avancojë me një nismë që lejon deklarimin e pasurive të padeklaruara kundrejt penaliteteve të reduktuara. Por ndërsa Tirana zyrtare flet për formalizim të ekonomisë, partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur prej kohësh rezerva të forta.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se të gjitha aktet nënligjore janë përgatitur dhe janë dërguar për shqyrtim tek partnerët ndërkombëtarë.

“Duke qenë se janë dy ligje të diskutueshme, aktet i kemi përcjellë te partnerët ndërkombëtarë dhe po presim komente. Në momentin që do marrim përgjigje do vijojmë me publikimin dhe implementimin e tyre,” u shpreh Malaj.

Megjithatë, sinjalet nga jashtë nuk kanë qenë inkurajuese. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se amnistitë fiskale rrezikojnë të dëmtojnë disiplinën tatimore dhe të krijojnë precedent negativ, duke nxitur tatimpaguesit të presin falje të ngjashme në të ardhmen në vend që të respektojnë ligjin.

Edhe Bashkimi Evropian ka mbajtur një qëndrim kritik, duke kërkuar që çdo nismë e tillë të jetë në përputhje të plotë me standardet kundër pastrimit të parave dhe të mos krijojë hapësira për legalizimin e kapitaleve me burim të dyshimtë.

Një tjetër sinjal i fortë ka ardhur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila në reagime të mëparshme ka theksuar se prioritet për Shqipërinë duhet të mbetet forcimi i institucioneve dhe i administratës tatimore, dhe jo përdorimi i amnistive fiskale si zgjidhje afatshkurtër.

Në të njëjtën linjë, edhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare kanë nënvizuar se masa të tilla duhet të shoqërohen me kontrolle shumë të forta për burimin e të ardhurave, për të shmangur rrezikun e pastrimit të parave.

Brenda vendit, opozita e ka kundërshtuar ashpër nismën, duke e cilësuar si një “amnisti për paratë e pista” dhe një goditje ndaj qytetarëve dhe bizneseve që kanë respektuar rregullat.

Në këto kushte, paketa e “paqes fiskale” mbetet në një moment vendimtar me aktet gati nga qeveria, por me verdiktin final që pritet nga ndërkombëtarët, të cilët pritet të përcaktojnë nëse Shqipëria do të marrë “dritën jeshile” apo një tjetër refuzim për këtë nismë të debatueshme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat