back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 2 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaGara që ndez debatet/ A do hyjë në Kushtetuese gjyqtari, 1.7 milion...

Gara që ndez debatet/ A do hyjë në Kushtetuese gjyqtari, 1.7 milion euro, që i iku Vettingut?

Etleva Skonja

Alaudin Malaj, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, është një nga kandidatët për vakancën në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse karriera e tij gjyqësore përfundoi në vitin 2020 pas dorëheqjes së tij përpara se të përballej me procesin e vettingut. Dorëheqja e tij aktivizoi automatikisht ndalimin 15-vjeçar të rikthimit në sistemin e drejtësisë.

Dorëheqja që ndërpreu vettingun

Në korrik 2020, Malaj dha dorëheqjen vetëm pak kohë përpara se të dilte në seancë përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Me këtë akt, procesi i rivlerësimit u ndërpre pa asnjë verifikim të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale.

Më 15 shtator 2020, KPK pranoi kërkesën e tij për dorëheqje dhe mbylli dosjen e vettingut. Vendimi u la në fuqi më pas nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, duke bërë përfundimtare shkëputjen e tij nga trupa e magjistratëve për 15 vite.

Fakti që ai u largua përpara se të kontrollohej është konsideruar një mënyrë për t’iu shmangur procesit të vettingut, i cili kishte si qëllim verifikimin e thelluar të pasurive dhe të burimeve financiare të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pasuria e deklaruar, 1.7 milionë euro

Alaudin Malaj, gjyqtar karriere në sistemin shqiptar të drejtësisë ka përfunduar studimet në vitin 1993 dhe prej asaj kohe ka kryer detyrën e gjyqtarit të shkallës së parë dhe të Apelit. Ndërkohë që një dekret i presidentit të Republikës për ta emëruar atë në Gjykatën e Lartë u bllokua në parlament.

Në vitin 2006, ai është transferuar nga Apeli i Vlorës në atë të Tiranës dhe në vitin 2012, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e emëroi kryetar të kësaj gjykate.

Sipas deklaratës së pasurisë, Malaj zotëronte një apartament 106 m2 në Tiranë para vitit 2003, të blerë për 7.8 milionë lekë me paratë e një shtëpie të shitur në Vlorë, me kursimet e tij dhe të bashkëshortes si dhe një hua prej 2 850 000 lekësh prindërit.

Sipas deklarimeve të dorëzuara ndër vite, Malaj rezulton me rreth 1.7 milionë euro pasuri, shifër që e rendiste ndër gjyqtarët më të pasur në vend. Pasuria e tij përfshinte, prona të paluajtshme, llogari bankare, si dhe të ardhura familjare dhe investime të akumuluara ndër vite.

Kjo pasuri ishte një nga elementet që pritej të shqyrtohej gjatë vettingut, në kuadër të verifikimit të burimeve të krijimit të saj. Procesi nuk u zhvillua kurrë për shkak të dorëheqjes.

Sot, Malaj synon të rikthehet në një pozicion të rëndësishëm institucional përmes kandidimit për Gjykatën Kushtetuese. Ligjërisht, ai ka të drejtë të garojë, pasi ndalimi 15-vjeçar lidhet vetëm me ushtrimin e funksionit si magjistrat aktiv. Megjithatë, fakti që ai nuk iu nënshtrua vettingut mbetet një pikë e rëndësishme që shoqëron kandidaturën e tij.

Kjo situatë ngre çështje mbi mënyrën se si duhet trajtuar një ish-gjyqtar që zgjodhi të largohej nga drejtësia në vend që t’i nënshtrohej procesit të kontrollit të integritetit. Përzgjedhja e kandidatit përfundimtar në Kushtetuese do të tregojë se si institucionet interpretojnë këtë histori dhe çfarë peshe i japin faktit të shmangies së vettingut.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat