back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetGazment Bardhi i sulmoi/ Reagon Policia: Xhaxhai i kandidates për deputete u...

Gazment Bardhi i sulmoi/ Reagon Policia: Xhaxhai i kandidates për deputete u kap me bllok votash

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Fier, Gazment Bardhi ka akuzuar Policinë e këtij qarku për presion dhe intimidim ndaj familjarëve të kandidates Silva Hasaj. Sipas Bardhit, Policia e Fierit po përdoret nga kundërshtarët e tij politikë për të goditur kandidatët e PD.

“Dënoj me forcë çdo akt presioni dhe intimidimi që Policia e Shtetit, nën ndikimin e drejtpërdrejtë politik, ka ushtruar ndaj familjarëve të kandidates për deputete të PD, znj. Silva Hasaj. Këto veprime përfaqësojnë një përshkallëzim të rrezikshëm të përpjekjeve për të frikësuar qytetarët dhe për të deformuar vullnetin e lirë të tyre përmes shantazhit dhe dhunës institucionale”, shkruan Bardhi.

Këtyre akuzave u është përgjigjur menjëherë Policia e Shtetit, Drejtoria Vendore Fier e cila garanton se ka bërë vetëm detyrën dhe ka zbatuar me përpikmëri ligjin, duke shoqëruar shtetasin Agim Hasaj.

Referuar reagizimit zyrtar, bëhet me dije se Policia kishte siguruar informacion në rrugë operative se shtetasi Agim Hasaj, 59 vjeç, banues në Peshtan, kryente veprimtari të paligjshme në lidhje me procesin zgjedhor. Dje, në orën 19:20 shërbimet e Policinë e kanë lokalizuar këtë shtetas dhe e kanë shoqëruar në Komisariat.

“Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në automjetin me të cilin ai udhëtonte, u gjet një bllok me shënime në lidhje me procesin zgjedhor. Shtetasit Agim Hasaj iu mor deklarimi dhe u la i lirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme hetimore”, sqaron Policia e Fierit.

Reagimi i plotë – Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Më datë 27.04.2025, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi Agim Hasaj, 59 vjeç, banues në Peshtan,  kryente veprimtari të paligjshme në lidhje me procesin zgjedhor, shërbimet e Policisë, në orën 19:20, e kanë kontrolluar dhe më pas e kanë shoqëruar këtë shtetas në Komisariatin e Policisë Fier.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në automjetin me të cilin ai udhëtonte, u gjet një bllok me shënime në lidhje me procesin zgjedhor. Shtetasit Agim Hasaj iu mor deklarimi dhe u la i lirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme hetimore.

Sqarojmë opinionin publik se në lidhje me statusin e publikuar nga drejtuesi politik i Partisë Demokratike, për qarkun Fier, Gazment Bardhi, në të cilin ai ka pretenduar se Policia e Shtetit ka ushtruar presion ndaj familjarëve të kandidates për deputete të Partisë Demokratike, znj. Silva Hasaj, (shtetasi Agim Hasaj që u shoqërua, i afërm i saj), theksojmë se pretendimi është i pavërtetë pasi Policia për këtë rast ka kryer të gjitha veprimet procedurale konform ligjit dhe materialet janë referuar në Prokurori.

Policia e Shtetit garanton qytetarët dhe të gjitha subjektet politike se është tërësisht e baraslarguar nga subjektet politike dhe e fokusuar vetëm në zbatimin e ligjit, garantimin e rendit e sigurisë përgjatë fushatës elektorale dhe paprekshmërinë e votës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat