Raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, pas vizitës së tij në Beograd, gjatë së cilës nuk u takua me zyrtarët më të lartë shtetërore, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte planifikuar një gjë të tillë.
“Vendimin që kontaktet e drejtpërdrejta me mua, në emër të pushtetit, të reduktohen ekskluzivisht në bisedime në Kuvendin Popullor dhe në Ministrinë për Integrime Evropiane e mori, natyrisht, presidenti Vuçiç, pasi vetëm ai vendos për lëvizje të tilla,” konfirmoi Picula për Radio Evropa e Lirë.
Picula shkoi në Beograd pasi që më 20 shkurt, në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, u prezantua draft-raporti, i cili u përball me kritika nga autoritetet serbe.