Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor Dritan Lleshin për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bazë të nenit 245/1 paragrafi i dytë të Kodit Penal, siç ishte para ndryshimeve ligjore të vitit 2021.
Në përfundim të gjykimit të zhvilluar me procedurë të shkurtuar, Lleshi u dënua me 1 vit burg, por për shkak të përfitimit nga kjo procedurë, dënimi iu ul me 1/3, duke u konvertuar në 8 muaj burg.
Sipas vendimit Nr. 46, datë 24.06.2025, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Erjon Çela, urdhëroi gjithashtu që vuajtja e dënimit të fillojë nga momenti kur vendimi merr formë të prerë. Ai do ta vuajë dënimin në një nga institucionet e sigurisë së zakonshme për të rritur.
Gjykata vendosi gjithashtu kthimin e një aparati celular të sekuestruar si provë materiale shtetasit A.N., si dhe ngarkimin e të pandehurit me shpenzimet proceduriale të gjykimit në shumën 40,060 lekë.
Vendimi është i apelueshëm në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda afateve ligjore.