Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pranoi kërkesën e SPAK dhe nisi gjykimin për 16 të pandehur të akuzuar për shkelje në tendera dhe falsifikim dokumentesh, në kuadër të çështjes penale nr. 240/2021 mes tyre edhe deputetin e PS Plarent Ndreca.
Sipas vendimit të datës 20 mars 2025, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Elsa Ulliri ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme dhe ka dërguar çështjen për shqyrtim me një trup gjykues të ri prej tre gjyqtarësh.
Të akuzuarit Plarent Ndreca, Denisa Skënderaj, Blendi Kovi, Lira Kolasi, Ferdinant Tarazhi, Grida Isufi, Jonarda Qurku, Lindita Mukaj, Silva Dauti, Denisa Klosi, Julia Hysa, Elora Kokalari dhe Aida Shehi përballen me akuzën e “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, Klejdi Meço, Emiliano Mehmeti dhe Erand Rroboçi akuzohen për “Falsifikim dokumentesh”.
Sipas njoftimit zyrtar, nga 16 të pandehurit, të gjithë, përveç Plarent Ndrecës, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.