Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka urdhëruar që SPAK të hetojë deputetin e PD-së e njëkohësisht ish-Prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja.
Siç raportohet, kjo çështje ishte regjistruar në vitin 2023 nga ana e Prokurorisë së Tiranës, por kjo e fundit bëri kërkesë për ta pushuar.
Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, procedimi penal ndaj Ndojës ishte regjistruar për veprat penale “pastrim i produkteve të veprën penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
Theksojmë se Ndoja fitoi mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ndërsa nga detyra si prokuror u shkarkua me unanimitet nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) në vitin 2022, me pretendimin se ish-prokurori kishte probleme me pasurinë dhe lidhje me krimin. Ndoja nuk e kaloi shkallën e parë të vetting-ut pasi ju gjetën shkelje në dy shtyllat e verifikimit, atë të pastërtisë së figurës dhe të afësive profesionale…
Kujtojmë po ashtu se ai ka qenë shënjestra e atentatit të bujshëm të 1 nëntorit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku për pasojë mbeti i plagosur, ndërsa u vra shoferi i tij.




