Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Durrës, Ardian Halili, i cili akuzohet për ndërtim pa leje të një resorti masiv në Kepin e Rodonit.
Kompleksi “Saint Michelle Residence”, me një sipërfaqe prej 5,600 m², u shemb pasditen e së premtes nga forcat xheniere me 80 kilogramë lëndë plasëse në godinën kryesore 2-katëshe, ndërsa objektet e tjera u rrënuan me fadroma.
Nga hetimet e kryera rezultoi se resorti përfshinte 11 kabina tip garsoniere, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, të gjitha të ngritura pa leje ndërtimi.
Ndërtimi kishte nisur në vitin 2018, kohë kur Halili drejtonte IMT-në e Durrësit, një funksion që ai e mbajti deri në vitin 2021.
Shembja e resortit vjen si pjesë e operacionit për lirimin e hapësirave publike dhe goditjen e ndërtimeve të paligjshme në zona turistike strategjike.