Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot pas deklaratës së Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili kritikoi deklaratat publike që, sipas tij, cenojnë figurën e gjyqtarëve dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se e ka lexuar me vëmendje reagimin e KLGJ-së, por sipas tij ky institucion “ka harruar rolin e vet themelor, që është të shqetësohet për cilësinë e drejtësisë dhe të garantojë publikun se vendimet gjyqësore në dëm të tij nuk kalojnë pa u analizuar”.
“Gjykatësit nuk janë maliqër që bëjnë ç’të duan me ligjin në emër të pavarësisë,” shkruan Rama, duke akuzuar KLGJ se po shmang përgjegjësinë për vendime që ai i cilëson “skandaloze e brutale” dhe “të ububushme për nga mungesa e ndjeshmërisë ndaj interesit publik”.
Megjithatë, Rama u shpreh dakord me një pjesë të deklaratës së KLGJ-së, ku theksohet se çdo ankesë në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse. “E kam informuar publikun se do të ndjekim këtë rrugë ligjore, duke iu drejtuar KLGJ-së dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë,” tha Kryeministri.
Në mbyllje të reagimit, Rama i bëri thirrje anëtarëve të KLGJ-së që të mos merren me mënyrën si ai ushtron detyrën e Kryeministrit, por të përqendrohen te misioni i tyre:
“Mos harxhoni kohën për të gjykuar se si e bëj unë punën për të cilën më ka votuar populli shqiptar – përqendrohuni tek puna juaj, që deri më sot lë shumë për të dëshiruar në funksion të Shqipërisë 2030 në BE.”



