Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) po zhvillon sot mbledhjen për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në garë janë katër kandidatë: Adnand Xholi, Elvin Gogaj, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho.
Elvin Gogaj është i treti që paraqet platformën e tij përpara KLP-së, ku theksoi shtyllat kryesore të drejtimit të tij në krye të SPAK.
“Platforma ime bazohet në një përvojë profesionale 26-vjeçare në fushën e drejtësisë. Qendroj para jush jo për një detyrë, por për të marrë një përgjegjësi,” tha Gogaj.
Ai shtoi se veprimtaria e tij do të bazohet në “luftën e pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimin e institucionit përmes përmirësimit të strukturës dhe shtimit të kapaciteteve njerëzore me ekspertë të fushave të ndryshme, ndërtimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe forcimin e besimit të publikut”.
Gogaj theksoi se drejtimi i ri i SPAK do të nisë me një analizë të përgjithshme, në mënyrë që çdo ndërhyrje të jetë efektive dhe të përmirësojë performancën e institucionit.



