Reforma në drejtësi në Shqipëri ka dhënë rezultatet e pritshme dhe ka kontribuar ndjeshëm në ecurinë e vendit drejt integrimit europian. Kështu deklaroi ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, gjatë tryezës së diskutimit të organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes me temë: “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies”.
“Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria dhe një kontribut shumë të madh për ecurinë e mrekullueshme drejt BE-së,” u shpreh Gonzato, duke theksuar rëndësinë e vendimeve gjyqësore në jetën e përditshme të qytetarëve.
Megjithatë, ambasadori nënvizoi se pavarësia e institucioneve të drejtësisë duhet të shoqërohet me llogaridhënie. “Pavarësia pa llogaridhënie rrit rrezikun për abuzime me pushtetin,” tha ai, duke shtuar se arkitektura e reformës në drejtësi ofron një ekuilibër të drejtë mes këtyre dy parimeve.
Në fjalën e tij, Gonzato theksoi se puna për zbatimin e reformës mbetet ende një sfidë. Ai inkurajoi institucionet e pavarura të drejtësisë që të vijojnë përpjekjet për të rritur transparencën dhe eficiencën në funksionimin e tyre.
“Monitorimi nga shoqëria civile është pjesë thelbësore e këtij procesi. Të gjitha këto janë elemente bazë për çdo sistem të qëndrueshëm drejtësie,” përfundoi ambasadori.