back to top
19.5 C
Tirana
E enjte, 24 Prill, 2025
spot_img
KreuAktualitetGrabitja e pronave në Gjipe/ Berisha paralajmëron Ramën: Nuk do e gëzosh...

Grabitja e pronave në Gjipe/ Berisha paralajmëron Ramën: Nuk do e gëzosh kurrë atë tokë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi kandidatët për deputetë në Himarë, për zgjedhjet e 11 majit. I pranishëm ishte edhe eurodeputetit, ish kryetari i bashkisë Himarë, Fredi Beleri, për të cili  Berisha tha se ‘Rama i mori mandatin përmes drejtësisë’. Berisha solli shembullin e Donald Trump, i cili në fushatën elektorale u tha amerikaneve se rreziku më i madh është armiku i brendshëm. ‘Ky armik në SHBA dhe Shqipëri ishte armiku që përdorte drejtësinë për të marrë mandatet pasi nuk i mundte dot në fushë betejë’, tha Berisha nga Himara.

‘Nuk do e gëzosh kurrë atë tokë, ajo është e këtyre banorëve dhe e manastirit’. Me këtë paralajmërim i është drejtuar lideri i demokratëve Sali Berisha, Edi Ramës pas grabitjes së pronave në Gjipe. Kryedemokrati Berisha u shpreh se, përmes një agjencie të krijuar nga Rama, ka vendosur si kolateral, të gjithë territorin e shtetit shqiptar, me në krye Belinda Ballukun, që sipas Berishës, shquhet për vjedhje. ‘I them Vangjel Tavos, misioni yt… bravo, ashtu është. E meriton plotësisht neverinë tuaj. E meriton sepse erdhi vetëm misionar i qëllimeve mafioze të Edi Ramës, i cili me familjen e tij do të plaçkitë tokat e Manastirit të Skutarasë, do të plaçkisë Gjipenë, në një kohë kur familja e tyre ka pasur, sipas dëshmive, katër dhi dhe tre derra’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka garantuar banorët e Lumit të Vlorës, se askush nuk do të mundet t’u marrë ujin, pas kërcënimeve për ta dërguar ujin në resortet përgjatë bregdetit. ‘Po si mund t’ua marrësh ti lumin atyre? 35 fshatra lumin e kanë jetë. Nga lumi buron e gjithë jeta e bimësisë, përndryshe ato janë shkëmb dhe shkretëtirë. Dhe ky shkon e ua marr se do ua sjell resorteve’, u shpreh Berisha. ‘Kam bindjen më të madhe se prodhimet e Himarës, prodhimet shqiptare do bëhen të famshme siç kanë qenë dikur’, theksoi ndër të tjera lideri demokrat gjatë fjalës së tij.

Gjatë fjalës së tij në prezantimin e kandidatëve për deputet në Himarë, kryetari i PD-së Sali Berisha u kërkoi qytetarëve dhe demokratëve në Himarë që më 11 maj, t’i rezervojnë Edi Ramës atë që shqiptarët i rezervuan partisë së tij, më 1992. Teksa tha se Ramën po e braktisin në takimet elektorale që zhvillon, duke i kthyer në parodi, si një mënyrë për t’u shfajësuar nga fajet e tij, Berisha tha se vota kundër tij, ofron një mundësi të re për çdo të ri shqiptar në shkollim, në punësim, në sukses dhe në biznes. ‘Për të gjithë shqiptarët pavarësisht nga bindjet e tij partiake. Ndaj le ta shndërrojmë ne këtë përpjekje në përpjekjen për mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari. Në përpjekje për një fitore të thellë’, u shpreh lideri i opozitës, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, qytetarëve të Himarës të pranishëm në këtë shesh, por të gjithë banorëve të kësaj bashkie kudo që ndodhen sot, në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Respektin tim më të madh, mirënjohjen më të thellë.

I dashur zoti Fredi Beleri, përfaqësues në Parlamentin Europian i qytetarëve grekë, kandidat i zgjedhur real i kësaj bashkie.

I dashur zoti Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ, aleat i rëndësishëm në Aleancën për Shqipërinë Madhështore.

I dashur zoti Bujar Leskaj, udhëheqës politik i qarkut të Vlorës.

Të dashur kryetarë të degëve të PD të Vlorës, Himarës dhe degëve të tjera.

Zonja Zhupa, udhëheqëse politike për Sarandën.

Të dashur kandidate dhe kandidatë për deputetë të qarkut të Vlorës, përfaqësues të shkëlqyer, dinjitozë të qytetarëve të këtij qarku, krenari e vërtetë për Vlorën, Himarën, Sarandën dhe mbarë Shqipërinë.

Nuk mund të mos e filloj këtë fjalim me përuljen më të madhe para jush, burrave dhe grave të kësaj treve, që i keni qëndruar si viganë, më të fuqishëm në çdo kohë se të tjerët të keqes.

Askush nuk ka qëndruar ndaj të keqes siç keni qëndruar ju, himariotët.

Vajza që paraqet takimin e quajti Himarën e lavdisë, e vërteta është se qëndresa e Himarës është një faqe e lavdishme në historinë e njeriut, në betejën me të keqen, qëndrimin e tij të pamposhtur dhe ju të tillë keni qenë në të gjitha kohërat.

Dhe ta marrë vesh Edi Rama se pushtimeve, askush nuk i ka dhënë përgjigje më të merituar se Himara dhe Himara ia dha Edi Ramës atë përgjigje që meritonte. Atë përgjigje ia dha me Fredi Belerin.

Miqtë e mi, Donald Trump në fushatën e tij elektorale u tha amerikanëve se një rrezik më i madh për amerikanët se sa fuqia e Kinës apo Rusisë është armiku i brendshëm.

Çfarë ishte ky armik i brendshëm?

Ky armik i brendshëm në SHBA dhe në Shqipëri ishte armiku që përdorte drejtësinë për të marrë mandatet e të zgjedhurve tuaj, pasi nuk i mundnin dot në fushë betejë, pasi bënin gjithçka që ju të mos e votonit.

Por ju e votuat dhe atëherë përdori si burracak drejtësinë e tij për t’i marrë kryetarit tuaj të zgjedhur mandatin.

Bëri një kurth të vjetër të shpifur nga ato që Himara i mban mend shumë mirë se i kurdiste Sigurimi i Shtetit, vetëm e vetëm për t’i grabitur mandatin.

Prokurorët dhe gjykatësit e kontrolluar prej tij, nuk e lejuan Belerin siç ishte lejuar çdo tjetër i votuar më përpara, nuk e lejuan që të vinte të bënte betimin dhe shkaku ishte vetëm një: se Beleri nuk pranoi të kandidonte për partinë e tij.

Se Beleri i tha se unë jam i djathtë dhe unë kam parimet e mia, dhe ato parime nuk putheshin kurrë me parimet e atij që kërkon t’u vjedhë tokat, të plaçkisë tokat tuaja, t’u zhbijë ju nga shtëpitë tuaja.

Ndaj dhe unë e nisa fjalën time se më i keqi i të gjithë të këqijve është armiku i brendshëm që të merr lirinë, që përdor drejtësinë për dhunë politike, që dhunon të drejtat më elementare, më themelore të njeriut, pronën, votën.

Çfarë i mbetet më një njeriu të lirë?

PD dhe aleanca e saj janë një aleancë konservatore, e cila ka në themel të saj vlerat tradicionale të njeriut, dinjitetin njerëzor, liritë e tij, pronën, besimin tek Zoti, atdhetarinë.

Ne besojmë fort se vetëm duke u bazuar në këto vlera mund të ndërtojmë Himarën Madhështore, Shqipërinë Madhështore.

Mund të ndërtojmë Himarën e ëndrrës së bukur të bijve dhe bijave të saj.

Shqipërinë e ëndrrës së bukur të bijve dhe bijave të saj.

Ndaj dhe jam këtu për t’u zotuar para jush se qeveria e ardhshme, paprekshmërinë e pronës, rikthimin dhe kompensimin e saj, pajisjen tuaj me dokumente, të gjitha legalizimet dhe çdo gjë që keni, do t’i ketë përparësi absolute.

Sot në Shqipëri ka ligje të cilat janë një kopje e ligjeve të vitit 1946.

Edi Rama ka krijuar një agjenci, në të cilën ka vendosur si pronë të gjithë territorin e shtetit shqiptar.

Ka vendosur aty një zëdhënëse, një lubi tjetër, si Lubi Ballukun dhe ajo ka autoritetin të bëjë ç’të dojë me pronat e shqiptarëve kudo, në Himarë, në Vlorë, në Lurë, në Berat, kudo në Shqipëri.

Pa, kjo është e vërteta.

Kurse ne zotohemi se do të respektojmë paprekshmërinë e pronës, do të rikthejmë pronën në çdo rast që ajo ekziston.

I them Vangjel Tavos, misioni yt… bravo, ashtu është. E meriton plotësisht neverinë tuaj. E meriton sepse erdhi vetëm misionar i qëllimeve mafioze të Edi Ramës, i cili me familjen e tij do të plaçkisë tokat e Manastirit të Skutarasë, do të plaçkisë Gjipenë, në një kohë kur familja e tyre ka pasur, sipas dëshmive, katër dhi dhe tre derra.

Dhe e thotë vetë, Baba Piloja siç i thotë Edi Rama, që ne nuk kishim tokë fare, kurse tani na del me 224 mijë metra katrorë tokë dhe thotë që e kam në majë të malit, toka del buzë detit.

Edi Rama, nuk do e gëzosh kurrë atë tokë.

Toka është e këtyre banorëve, është e manastirit dhe ti nuk do ta marrësh kurrë atë.

Të dashur miq, Shqipërinë Madhështore, ndërtimin e saj ne do e nisim nga dhembshuria, nga solidariteti njerëzor.

100 ditët e para ne vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar që merr më pak se 200 euro ose nuk merr.

Çka do të thotë se në Shqipëri nuk do të ketë pension nën 200 euro. Pensioni minimal do jetë 200 euro.

Çka do të thotë se çdo i papunë, se çdo njeri në ndihmë ekonomike, çdo student me bursë, çdo fëmijë me një prind, do ketë 200 euro në muaj.

Ky është zotimi ynë për të nxjerrë shqiptarët nga mjerimi.

6.3 euro në ditë, nuk je më në spektrin e mjerimit.

Së dyti u garantoj ju se nuk do dërgoni të blihen ilaçet në Greqi apo në Itali se këto të farmacive këtu janë marka Nushi dhe Doshi, të gjitha kallp ilaçe.

Përkundrazi në Shqipëri do importohen ilaçe që shiten vetëm në 2 vende të BE.

Dhe ju të dashur himariotë, do rimbursoheni në mënyrë identike me rimbursimin që republikane italiane u bën qytetarëve të vet, të njëjtën listë rimbursimi.

Ndërkohë përsëri në këtë paketë, rrogëulëtit, që nuk mund të kenë rrogë më të ulët se 500 euro, asnjë, pensionistët, ata që marrin minimumin jetik, do kenë kartën e konsumatorit.

Karta e konsumatorit do u rikthejë atyre të gjithë TVSH-në, pra 20 përqind të çmimeve, dhe kjo është e barabartë me 450 euro në vit.

Projekti ynë për Shqipërinë Madhështore parashikon uljen e çmimit të energjisë elektrike të konsumatorit në 7 lekë.

Nafta nuk do jetë më e shtrenjtë se në Maqedoni dhe Kosovë. Sot është 40 përqind më shtrenjtë. Kjo sepse Edi Rama u merr ju në çdo litër naftë nga 1.1 euro, një çmenduri e vërtetë.

Ju të tjerët, që nuk blini naftë, ju e paguani naftën në çmimin e ushqimeve, në çmimin e biletave të transportit, e paguani në çdo gjë tjetër.

Kështu që ne i vendosim një ligj të ri, ulim ngarkesën fiskale mbi naftën dhe çmimi i tij do bjerë në nivelin e dy vendeve përreth.

Ju i dëgjoni që flasin për turizëm, turizëm, turizëm.

Po ky breg madhështor, ky breg i jashtëzakonshëm, nga Semani gjer në Kepin e Stillës, ujërat e zeza i derdh në det.

Për të treguar se këta janë vetëm një mafie plehrash, pa asnjë koncept tjetër vetëm si të vjedhin, si të vjedhin, si të vjedhin.

E bëri tunelin e Llogarasë, unë ua them haptas, nuk kam qenë për tunelin sepse Qafa e Llogarasë është një nga pamjet më fantastike të njeriut. Sa herë del e sheh aty, njeriu nuk ngopet me atë pamje të bukur.

Ky ndërtoi tunelin duke vjedhur 60 milionë euro në Ankara. Kompania që ofroi 130 milionë euro, u la, dhe iu dha kompanisë tjetër me 180 milionë euro. Tani ka shkuar në 230 milionë euro.

Para se të bëhej kjo, me këto para, nga Semani deri në Kepin e Stillës ti garantoje furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza.

Dhe ti e transformoje…

Në këtë mënyrë ky rajon shkonte në Europë, në këtë mënyrë europianët që vinin këtu gjenin një breg evropian. Gjenin një det evropian. Po jo kështu siç e bën ky, që ka vetëm një kriter, ku të vjedhë më shumë, ku të plaçkisë më shumë.

Miqtë e mi, projekti ynë për biznesin është projekti më miqësor.

Biznesi i vogël do paguajë me 6 lekë energjinë.

Tavani për TVSH-në dhe tatim fitimin do spostohet nga 100 mijë euro dhe 140 mijë që është përkatësisht, në 180 mijë euro.

Bashkia nuk do mund të vendosë kurrë tarifa dhe taksa më shumë se 1 përqind të xhiros vjetore. Tani vendos edhe 8 apo 9 përqind sipas qejfit.

Sipërfaqja publike do pjesëtohet me 8 herë. Ka qenë 120 lekë, është 1500 lekë, do zbresë në 120 lekë.

Bizneset e tjera, tatim fitimin do ta kenë 10 përqind. TVSH do ulet në 15 përqind.

Gara do jetë e hapur, e ndershme në prokurime dhe të gjitha. Luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit.

Fermerëve u garantoj se do të subvencionohen pesë herë më shumë se sot për çdo rrënjë ulli, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi. Dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse barazim me subvencionimin që bëjnë vendet përreth.

Kosova subvencionon fermerin 4-5 herë më shumë se ne, Maqedonia 5 herë më shumë se ne, Serbia 7 herë më shumë se ne.

Atëherë ne do u subvencionojmë ju në mënyrë që të konkurroni lirshëm me fermerët e tjerë.

Made in Albania do jetë krenaria jonë kombëtare.

Dhe në këtë kuadër, kam bindjen më të madhe se prodhimet e Himarës, prodhimet shqiptare do bëhen të famshme siç kanë qenë dikur.

Prodhimet e këtij bregu njiheshin në metropolet e botës. Agrumet e saj.

Përsëri Himara do ngrihet në të gjithë madhështinë e saj.

Dua të garantoj banorët e Lumit të Vlorës se asnjë litër ujë nuk do mund t’ua marrë kush atyre.

Dëgjoni miq, kur legjendat thonë se kuçedra shterroi lumin, duket se ka pasur në të gjitha kohërat qeveritarë si puna e Edi Ramës që ka sulmuar gjithmonë lumenjtë.

Po si mund t’ua marrësh ti lumin atyre? 35 fshatra lumin e kanë jetë. Nga lumi buron e gjithë jeta e bimësisë, përndryshe ato janë shkëmb dhe shkretëtirë.

Dhe ky shkon e ua marr se do ua sjell resorteve. Po hajde këtu në Potom ti, ke aty mijëra litër ujë të ëmbël që bie nga platforma, ngrije ku të duash me pompa dhe shpërndajua të gjithë bregu, të gjithë resorteve, të gjithë hoteleve e me radhë.

Po pse do ua marrësh atyre ujin?

Nuk ka akt të tillë më absurd.

Kurrë nuk do ndodhi.

U bëj thirrje banorëve të Bregut të qëndrojnë mbi pronësinë që kanë te lumi i tyre dhe i garantoj se PD nuk do lejojë kurrë që uji t’u merret, përveçse t’u mbetet atyre.

Miq, ky program synon që paratë e buxhetit t’ua kthejë një pjesë të madhe ju.

Për ta bërë të qartë, Edi Rama këtë vit paraqiti në parlament buxhetin 8 miliardë euro, më i madhi tha në histori.

I gjithi taksat tuaja, pa përjashtim të gjitha janë taksa të biznesit dhe qytetarëve.

Tani do e ndante. Pensionistët 16 milionë.

Ne kishim çuar ligjin në parlament për të vendosur minimumin jetik 200 euro. Jo, tha, biem në humnerë nëse e bëjmë këtë.

Pra e mund të imagjinoni ju se nga 8 miliardë euro, për 760 mijë burra dhe gra që kanë shkrirë jetën e tyre në ndërtimin e Himarës dhe Shqipërisë, la 16 milionë euro.

Dy ditë më parë, kryeministri i Greqisë, Mitsotakis, ndau 1 miliard euro, nga të cilat 500 milionë për pensionistët dhe njerëzit në nevojë. Po, tha, do ua paguaj një muaj në vit qiranë qeveria pensionistëve.

Kurse ky thotë se po të vendosim këtë, biem në humnerë.

Po pse nuk ra në humnerë qeveria e Malit të Zi, e cila në vitin 2013, pensioni në Mal të Zi ishte 138 mijë lekë, i yni ishte 143 mijë lekë.

Sot pensioni i malazezit është 450 mijë lekë. Ranë në humnerë ata gjë?

Sot rroga minimale në Rumani që ishte më e ulët se në Shqipëri, është dy herë më e lartë se në Shqipëri. Ranë gjë në humnerë ata?

Çfarë ndodh? Të gjitha pasuritë këta i kanë në një grup njerëzish, i ndajnë me njëri-tjetrin, të tjerët janë të përjashtuar.

Problemi është se pensionistët dhe njerëzit nuk u duken këtyre. Për të, i mençuri i dheut ishte Saimir Tahiri, Lubi Balluku, Krifca, të gjithë hajdutët përreth tij që vidhni së bashku me të. Taulanti në krye.

Të dashur miq, ne do i kthejmë fermerit…

U nda buxheti, sa la për fermerët thoni ju? 33 milionë euro nga 8 miliardë. Ndërkohë fermerët punësojnë gjysmë milionë shqiptarë.

Ndërkohë japin 19 përqind të PBB. Dhe u la gjithsej 33 milionë.

220 milionë Kosova. 280 milionë Maqedonia.

Çfarë do bëjmë ne? Do kthejmë paratë tek ju, do jemi të drejtë në ndarje.

Taksat. Ky dyfishoi taksat, ne do i përgjysmojmë.

Paratë në kontot e biznesmenëve janë më të vlefshme për shoqërinë shqiptare se në llogaritë e shtetit

Kjo është pra miq filozofia, realiteti i programit tonë.

Ka dy fushata sot, ka një fushatë si kjo që vijmë dhe paraqesim tek ju çfarë do bëjmë katër vitet në vijim, me llogaritje, me të gjithë seriozitetin që duhet.

Ka një fushatë që del ka tre muaj këneta, këneta, këneta.

Sipas tij, 130 milionët e eurot e djegësit të Tiranës, i mori këneta, nuk i mori Edi Rama me Lubinë dhe Erion Veliajn.

Sipas tij, 120 milionë euro të Beketit, fajin e ka këneta dhe nuk i ka Edi Rama dhe Erion Veliaj që e përzunë nga vendi si rrugeçër atë.

Udhëton me avion 21 milionë euro në dy vite, sipas tij fajin e ka këneta.

Pra përpiqet të mbulojë të gjitha fajet e tij, duke bërë parodi.

Por një gjë do u them miq se tani meqenëse qytetarët e kanë braktisur, tani bën takime me listë, i merr me listë rrogëtarët dhe u thotë, po nuk erdhët, ikët nga vendi i punës.

Unë u them punonjësve të administratës të shkojnë, por të mos e votojnë të keqen e madhe që ka Shqipëria.

Përpiqet me figura të ndryshme t’i bëjë për të qeshur.

Ftoj çdo nënë, çdo motër, çdo zonjë, çdo zonjushe, që në kohën kur ju qeshni, ai ka futur dorën në xhepat tuaj, ai ka futur dorën në paratë tuaja, ai ka futur dorën në të ardhmen e fëmijëve tuaj.

Ai është një dorë e zezë që nuk ka asnjë kufi.

Prandaj kujdes se ai u vjedh edhe kur ju buzëqeshni.

Ndaj dhe ju ftoj ju, qytetarëve të mençur të kësaj bashkie, me datën 11 maj të votoni ndryshimin si një moment që do sjellë një mundësi të re për çdo shqiptar.

Si një moment që do ofrojë një mundësi të re për çdo të ri shqiptar në shkollim, në punësim, në sukses në biznes.

Të votoni ndryshimin që do sjellë një mundësi të re edhe për çdo të moshuar për një jetë më dinjitoze.

Një mundësi të re për çdo fermer për sukses në fermën e tij.

Për çdo biznesmen të vogël një mundësi për të zgjeruar biznesin e tij.

Për të gjithë shqiptarët pavarësisht nga bindjet e tij partiake.

Ndaj le ta shndërrojmë ne këtë përpjekje në përpjekjen për mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari.

Në përpjekje për një fitore të thellë.

T’i rezervojmë Edi Ramës atë që shqiptarët i rezervuan partisë së tij në vitin 1992.

Rroftë Himara, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat