Ministri i Jashtëm Igli Hasani deklaroi se Shqipëria është në prag të hapjes së grupkapitullit të pestë në negociatat me Bashkimin Europian, një zhvillim që pritet të ndodhë në ditët në vijim.
“Po hapet i pesti grupkapitull. Është çështje teknike gjetja e ditës së duhur për konferencën ndërqeveritare. Brenda këtij viti do t’i hapim të gjithë kapitujt dhe në fillim të vitit tjetër do të nisim mbylljen e disa prej tyre,” – tha Hasani në një intervistë për A2 CNN.
Ministri e cilësoi këtë si një progres të jashtëzakonshëm, ndërsa u shpreh i bindur se Shqipëria mbetet një partner serioz për BE-në, duke iu përgjigjur edhe kritikave të fundit për situatën në sistemin e drejtësisë.
Lidhur me vërejtjet për presionet ndaj SPAK, Hasani tha se:
“Elementët e përmendur në draft-raporte janë pjesë e një puzzle më të madh që do ta çojmë drejt realizimit shumë shpejt. Komisioni Europian ka pasur gjithmonë besim te Shqipëria.”