Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, në kuadër të informimit të publikut në lidhje një çështje me interes të lartë për shitjen e lëndëve narkotike tek një shtetase e mitur, bën me dije se:
Më datë 18.05.2025 pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë është regjistruar procedimi penal në ngarkim të personit nën hetim O.L, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.
Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shtetasi O. L., i ka shitur lëndë narkotike të llojit kokainë një shtetaseje të mitur.
Prokurori i çështjes, duke u nisur nga rëndësia e faktit penal dhe rrezikshmëria e autorit të dyshuar të veprës penale, i është drejtuar Gjykatës me datë 19.05.2025 me kërkesë për “Caktimin e masës së sigurimit personal ‘arrest në burg’, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Kërkesë e cila u pranua nga gjykata.
Me datë 19.05.2025, prokurori i çështjes ka nxjerrë urdhrin për zbatimin e vendimit të gjykatës për masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj personit nën hetim O.L.
Nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë, kjo masë sigurimi, në bazë të urdhrit të prokurores është ekzekutuar në datë 26.05.2025, ora 00:30, pasi shtetasi O.L është kapur nga Komisariati i Policisë Nr.2, Tiranë, në qytetin e Tiranës.
Në vijim të veprimeve i është drejtuar gjykatës me datë 27.05.2025 me kërkesë “Për verifikimin e kushteve dhe kritereve të masës së sigurimit dhe vijimin e masës së sigurimit arrest në burg” për personin nën hetim O.L.
Më datë 28.05.2025 gjykata vendosi të vijojë masën e sigurimit “arrest në burg” për personin nën hetim O.L.