Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtatë zyrtarë të lidhur me veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 248 të Kodit Penal.
Hetimet, të kryera në kuadër të procedimit penal nr.1665, datë 21.10.2024, evidentuan 7 raste të ndërtimeve pa leje në Bashkinë Mallakastër. Sipas Prokurorisë, disa shtetas pajiseshin me deklarata paraprake për kryerje punimesh, por më pas kryenin ndërtime pa leje, ndërkohë që strukturat inspektuese dhe Ndihmës Specialistët e zonës nuk ushtronin detyrat e tyre funksionale sipas ligjit.
Nga hetimet rezultoi se kryeinspektori dhe dy inspektorë pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Mallakastër nuk kanë vepruar për të ndaluar ndërtime pa leje. Po ashtu, tre Ndihmës Specialistë pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër nuk ushtruan përgjegjësitë e tyre në kontrollin dhe evidentimin e këtyre ndërtimeve.
Shtetasit e dërguar në gjyq janë:
Y. K – ish Ndihmës Specialist/SPZ, Komisariati i Policisë Mallakastër, për shpërdorim detyre
I. B – ish Ndihmës Specialist/SPZ, Komisariati i Policisë Mallakastër, për shpërdorim detyre
D. J – ish Ndihmës Specialist/SPZ, Komisariati i Policisë Mallakastër, për shpërdorim detyre
A. X – kryeinspektor pranë IMT Bashkia Mallakastër, për shpërdorim detyre
Sh. Xh – inspektor pranë IMT Bashkia Mallakastër, për shpërdorim detyre
K. Y – inspektor pranë IMT Bashkia Mallakastër, për shpërdorim detyre
L. M – për ndërtim të paligjshëm
Prokuroria thekson angazhimin e saj për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë shtetasit dhe punonjësit publik që cënojnë regjimin juridik të tokës dhe ndërtimeve, duke garantuar respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e pronës publike./E.S