Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord në parim që çështjet e mbetura për marrëveshjen e detit të zgjidhen në gjykata ndërkombëtare.
Në një konferencë për mediat, Hoxha tha se pavarësisht se nuk mund të përcaktojë një afat konkret, ekziston dakordësia mes palëve për ta çuar këtë proces drejt zgjidhjes juridike ndërkombëtare.
Ai theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë ndodhen në një nivel shumë të mirë dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve ka avancuar në disa fusha.
“Gjykata ka vendosur dhe kjo nuk diskutohet. Pas asaj është bërë një punë e jashtëzakonshme nga paraardhësit e mi. Sot ndodhemi në marrëdhëniet më të mira me Greqinë,” u shpreh Hoxha.
Ministri shtoi se dakordësia për mbylljen e kapitujve të negociatave me BE-në, ku përfshihet edhe mbështetja e Greqisë, tregon nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ai nënvizoi se për çështje të ndërlikuara si ajo e delimitimit të detit, është rënë dakord që zgjidhja të kërkohet në gjykata ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si një proces të dakordësuar në parim mes palëve.
“Do shkojmë në gjykata ndërkombëtare. Për këtë kemi rënë dakord në parim, por nuk mund të them një datë. Janë procese që kërkojnë kohën e tyre,” tha Hoxha.
Sipas tij, marrëdhëniet aktuale me Greqinë janë në një fazë të avancuar dhe të qëndrueshme, duke reflektuar bashkëpunim të ngushtë diplomatik mes dy vendeve fqinje.



