back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 13 Prill, 2025
spot_img
KreuAktualitetBotaHyjnë në fuqi tarifat e reja të Trumpit

Hyjnë në fuqi tarifat e reja të Trumpit

Tarifat e reja ndaj mallrave të importuara nga Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në fuqi më 9 prill. Masat tregtare janë në kuadër të politikës së re tregtare të presidentit amerikan, Donald Trump, e cila, sipas tij, synon të ringjallë industrinë prodhuese amerikane.

Normat më të larta të taksave të importit për dhjetëra shtete dhe territore përfshijnë një tarifë masive prej 104 për qind ndaj mallrave kineze dhe 20 për qind për produktet nga Bashkimi Evropian.

Ky rund i ri tarifash hyn në fuqi të mërkurën, pasi më 5 prill nisën së zbatuari tarifat bazë prej 10 për qind për importet e shumë shteteve të botës.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trumpi nuk e ka shqyrtuar mundësinë e hyrjes me vonesë në fuqi të këtyre tarifave.

“Ai pret që këto tarifa të hyjnë në fuqi”, tha ajo më 8 prill, disa orë para mesnatës, kur ishte afati për hyrjen në fuqi të tarifave.

Vetë Trump dha sinjale të përziera lidhur me atë nëse tarifat do të mbeten në fuqi. Ndërsa i përshkroi ato si “të përhershme”, ai tha se përfaqësues të shteteve të prekura ishin rrugës për në Uashington për të negociuar marrëveshje dypalëshe tregtare.

“Kemi shumë vende që po vijnë për të bërë marrëveshje”, tha ai në një ngjarje të organizuar në Shtëpinë e Bardhë më 8 prill. Më vonë, Trump shtoi se priste që edhe Kina të kërkonte një marrëveshje tregtare me SHBA-në.

Administrata e Trumpit ka planifikuar bisedime me përfaqësues të Koresë së Jugut dhe Japonisë, dy aleatë të afërt dhe partnerë të mëdhenj tregtarë të SHBA-së. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, pritet të vizitojë javën e ardhshme Uashingtonin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është ndër zyrtarët që kanë ofruar një ulje të ndërsjellë të tarifave, por gjithashtu ka paralajmëruar se kundërmasat mbeten ende opsion.

Trump i shpalli tarifat më 2 prill, duke e quajtur atë “dita e çlirimit të Amerikës” dhe tha se ajo do të mbahet mend “si dita kur industria amerikane rilindi, dita kur u rimor fati i Amerikës dhe dita kur nisëm ta bëjmë Amerikën përsëri të pasur”.

Gjatë shpalljes së tarifave, Trump u ankua se për dekada me radhë shteti i tij ishte trajtuar padrejtësisht nga “miqtë dhe armiqtë njësoj” sa i përket çështjeve tregtare, duke krijuar një disbalancë të madhe tregtare.

Bursat në mbarë botën kanë rënë ndërsa tarifat po zbatohen, dhe ekonomistët paralajmërojnë se ato do të rrisin çmimet e mallrave që konsumatorët amerikanë blejnë çdo ditë, veçanërisht duke qenë se tarifat e reja ndërtohen mbi masa tregtare të mëparshme. Vendet e prekura pritet gjithashtu të kundërpërgjigjen.

Kina ka reaguar tashmë, duke vendosur një tarifë prej 34 për qind për të gjitha mallrat amerikane. Kjo përqindje përputhet me nivelin që ishte në fuqi përpara se Trump të njoftonte se SHBA-ja do të vendosë një tarifë prej 104 për qind ndaj Kinës duke filluar nga 9 prilli.

Ministria e Tregtisë e Kinës e quajti kërcënimin e Trumpit për të përshkallëzuar tarifat “një gabim mbi një gabim” që “përsëri ekspozon natyrën shantazhuese të SHBA-së”.

Përveç tarifave ndaj Kinës, Trump ka vendosur një tarifë të lartë prej 25 për qind për importet e automjeteve, duke nisur nga 3 prilli, e cila kryesisht është e drejtuar ndaj makinave të prodhuara në Meksikë dhe Kanada, me qëllim që t’i shtyjë këto dy shtete të ndërmarrin hapa për të kontrolluar migrimin dhe trafikimin e drogës. Këto tarifa janë për makinat e importuara, por tarifat pritet të zgjerohen javët në vijim, duke prekur edhe importet për pjesët e automjeteve.

Kanada është kundërpërgjigjur me një taksë prej 25 për qind për importet e automjeteve nga Shtetet e Bashkuara që nuk përputhen me Marrëveshjen e SHBA-së-Meksikë-Kanada. Këto tarifa pritet të hyjnë në fuqi më 9 prill.

Edhe çeliku dhe alumini janë cak i tarifave. Për dy metalet është vendosur një tarifë prej 25 për qind, vendim që hyri në fuqi muajin e kaluar./REL

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat