Protestat antiqeveritare në Iran vijojnë të intensifikohen, ndërsa situata humanitare po përkeqësohet ndjeshëm. Mjekë nga disa spitale në vend kanë raportuar për BBC se institucionet shëndetësore janë tejmbushur me të plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë.
Një mjek në Teheran ka bërë të ditur se spitali kryesor oftalmologjik i kryeqytetit ka kaluar në gjendje krize për shkak të numrit të lartë të pacientëve. Ndërkohë, një infermier nga qyteti i Shirazit ka deklaruar se mungesa e kirurgëve e bën të pamundur përballimin e fluksit të të plagosurve, të cilët paraqiten kryesisht me plagë nga armët e zjarrit, veçanërisht në kokë dhe në sy.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, që nga nisja e protestave më 28 dhjetor janë vrarë të paktën 50 protestues, mes tyre edhe fëmijë, si dhe 15 anëtarë të forcave të sigurisë. Po ashtu, mbi 2 300 persona janë arrestuar gjatë përplasjeve dhe operacioneve të sigurisë.
Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar masa të ashpra ndaj protestuesve, të cilët i kanë cilësuar si “elementë të dhunshëm”. Ndërkohë, vendi ndodhet nën një bllokadë pothuajse totale të internetit, çka e bën të vështirë raportimin e pavarur dhe verifikimin e informacionit nga terreni.
Përshkallëzimi i situatës ka nxitur reagime të forta ndërkombëtare. Liderë botërorë dhe Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për respektimin e të drejtës për protesta paqësore dhe për shmangien e dhunës ndaj civilëve. Nga ana tjetër, udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei, ka deklaruar se regjimi nuk do të tërhiqet përballë protestave. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se po ndjekin nga afër zhvillimet dhe kanë shprehur mbështetjen për të drejtën e popullit iranian për të protestuar.



