back to top
32.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025
spot_img
KreuDrejtësia“Jo ndërhyrjeve nga jashtë”/ Dumani vendos vijat e kuqe për politikën

“Jo ndërhyrjeve nga jashtë”/ Dumani vendos vijat e kuqe për politikën

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, theksoi sot se pavarësia institucionale e SPAK është një element thelbësor dhe i panegociueshëm për funksionimin e drejtësisë së re, duke paralajmëruar se rekomandimet politike nuk duhet të shndërrohen në instrumente presioni apo ndikimi mbi punën e prokurorëve.

Në fjalën e tij në tryezën e diskutimit me temë “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale të Prokurorisë së Posaçme”, Dumani u ndal tek rëndësia e balancës mes llogaridhënies dhe ruajtjes së pavarësisë.

“Pavarësia nuk përjashton përgjegjësinë. Llogaridhënia është pjesë integrale e funksionimit tonë dhe këtë e dëshmon edhe fakti që 61 raste ndaj prokurorëve të posaçëm janë trajtuar me vendime përfundimtare nga ILD,” u shpreh Dumani.

Ai përmendi gjithashtu marrëdhënien institucionale me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilën e cilësoi si mbështetëse dhe konstruktive në funksion të forcimit të kapaciteteve të SPAK-ut.

Në lidhje me komunikimin me Kuvendin dhe Këshillin e Ministrave, Dumani theksoi se çdo rekomandim është trajtuar me seriozitet dhe ka gjetur pasqyrim në raportet vjetore të institucionit, por paralajmëroi se:

“Rekomandimet nuk duhet të tejkalojnë kufijtë kushtetues. Ndërhyrjet e njëanshme ose të paqarta rrezikojnë të zhbalancojnë ndarjen e pushteteve dhe të cenojnë pavarësinë institucionale.”

Ai nënvizoi se rekomandimet duhet të jenë mbështetëse dhe jo detyruese, dhe të shërbejnë në funksion të një sistemi më të fortë dhe efikas të drejtësisë, jo si mjete për ndërhyrje të mundshme në vendimmarrje.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat