Është zbardhur kërkesa që ish-presidenti Ilir Meta i ka paraqitur SPAK-ut lidhur me hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011, ku humbën jetën katër protestues gjatë tubimit të dhunshëm përpara Kryeministrisë.
Nga qelia ku ndodhet pas arrestimit të tij, Meta i është drejtuar me shkrim Prokurorisë së Posaçme duke kërkuar të thirret për të dhënë dëshmi, duke deklaruar se posedon informacion të rëndësishëm dhe ende të panjohur për organin e hetimit.
Në kërkesën e tij, Meta thekson se këto dëshmi mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të asaj dite, duke u shprehur i gatshëm të paraqitet përballë prokurorëve “në çdo moment”.
Pjesë nga kërkesa e Ilir Metës drejtuar SPAK:
“Unë, Ilir Rexhep Metaj, duke qenë se kam dijeni dhe mund të jap dëshmi të vlefshme për rrethanat e asaj ngjarjeje, dëshmi të cilat nuk janë të njohura nga organi procedues, jam në dispozicion të organit të procedurës në çdo moment që ajo do të jetë e gatshme.”
Ngjarjet e 21 janarit shpërthyen pas publikimit të videos Meta-Prifti dhe u shndërruan në një nga episodet më të rëndë të historisë politike të vendit, me katër qytetarë të vrarë gjatë protestës së organizuar nga opozita e atëhershme.
SPAK ka rihapur hetimet për këtë çështje, ndërsa kërkesa e Metës pritet të vlerësohet në ditët në vijim nga prokurorët e posaçëm.




