Në të kaluarën i hapte dritaret çdo mëngjes për ta ajrosur shtëpinë. Por, Izet Grajqevcit, 53- vjeçarit nga Obiliqi, një gjë e tillë vetëm se do t’ia vështirësonte qëndrimin në shtëpinë e tij, sidomos gjatë stinës së dimrit. Kjo për shkak të ajrit të ndotur dhe smogut të dendur.
Me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, ai jeton në një banesë afër termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Obiliq, ku cilësia e ajrit është e ulët për shkak të ndotjes nga termocentralet dhe deponive të mbeturinave që ndodhen afër shtëpisë së tij.
Realiteti me të cilin po përballet çdo ditë brengos Izetin për të ardhmen e familjes së tij.
“Shqetësohem për dy vajzat që duhet të rriten këtu, në këtë ajër të ndotur. Erën e tij të keqe e nuhasim edhe kur i thajmë rrobat. Nëse do të kisha mundësi, sonte do të shpërngulesha diku”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se opsion janë edhe qytetet në pjesën perëndimore të Kosovës, larg termocentraleve të KEK-ut.
Ai thotë se vuan pasojat nga ajri i ndotur tash e 12 vjet.
“Shpesh ndihem i lodhur dhe me plogështi, kjo ka filluar që nga viti 2013. Kam pasur edhe probleme me frymëmarrje. Kur kam qenë në Qendrën Komunale të Mjekësisë Familjare më kanë thënë të kujdesem që të mos dal jashtë shumë, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes”, thekson ai.
Kështu, për t’iu shmangur ajrit të ndotur, ai mban dritaret e shtëpisë të mbyllura dhe nuk del nga shtëpia kur nuk e ka të domosdoshme.
Problemi i ajrit të ndotur prek një numër të madh të qytetarëve në Kosovë, sidomos në zonat urbane, ku statistikat tregojnë për nivele të larta të gazrave të dëmshme në ajër.
Matjet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës shpërfaqin nivele të larta të substancave të rrezikshme për shëndetin, siç është dyoksidi i karbonit, monoksidi dhe gazrat serrë.
E krahas këtyre ndotësve, në Kosovë ekziston një tjetër armik i fshehtë e kërcënues për shëndetin publik, e që është metani. Ky gaz, i padukshëm dhe pa erë, lirohet nga deponitë e mbeturinave, termocentraleve dhe burimet e tjera ndotëse.
Kështu thuhet në të dhënat e raportit të fundit të Bankës Botërore për ndryshimet klimatike në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova renditet e para në rajon për nivelin më të lartë të metanit në ajër, për kokë banori në zonat urbane.
Pse Kosova po prin me nivelin e metanit në ajër?
Profesori për Edukim Mjedisor, Zeqir Veselaj, thotë se arsyet kryesore pse Kosova po prin në Ballkanin Perëndimor në këtë drejtim, janë keqmenaxhimi me deponitë e mbeturinave, zjarret në pyje, përdorimi i thëngjillit për ngrohje dhe termocentralet e Obiliqit.
Ai shton se një faktor tjetër shqetësues është edhe numri i madh i veturave të vjetra që qarkullojnë në Kosovë.
“Ndikim në ndotjen e ajrit ambiental urban ka edhe sektori i transportit, me afërsisht gjysmë milioni vetura e makineri në rrugët e Kosovës”, thekson ai për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, nga institucioni që bën monitorimin e cilësisë së ajrit në Kosovë, Instituti Hidrometeorologjik (IHMK), thonë se nuk kanë të dhëna për gjendjen aktuale.
“Ne nuk disponojmë të dhëna nga monitorimi, pasi deri më tani nuk kemi kryer matje për metanin”, thonë nga IHMK-ja.
Megjithatë, nga ky institut shtojnë se, bazuar në përvojën e tyre, burime kryesore të metanit janë minierat e vjetra të qymyrit dhe deponitë e mbeturinave.
Për deponitë e mbeturinave shpreh shqetësim edhe profesori Zeqiraj.
“Dyoksidi i karbonit dhe metani përbëjnë rreth 90 për qind të gazrave që lirohen. Por, nga deponitë lirohen edhe gazra të tjera, si amoniak, sulfide, substanca azotike, hidrogjen etj, me pasoja për shëndetin publik të rrethinave”, thotë ai.
Kërkesës së Radios Evropa e Lirë për informacione rreth kësaj teme nuk i është përgjigjur Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit.
Mirëpo, sipas Inventarit të Gazeve Serrë për Kosovën, të publikuar nga ta gjatë vitit të kaluar, thuhet se 86 për qind e emetimeve të gazrave serrë, përfshirë metanin, vijnë nga sektori energjetik, ndërsa pjesa e mbetur nga bujqësia, mbeturinat dhe industria.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur KEK-un për lirimin e gazrave serrë nga termocentralet e tij dhe strategjitë e ardhshme për përmirësim, por s’ka marrë përgjigje.
Si ndikon metani në shëndet?
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) thonë se efektet e metanit në shëndet mund të jenë mjaft serioze dhe jo vetëm në frymëmarrje.
“Mund të kemi ndryshime të humorit, të folur të paqartë, probleme me shikimin, humbje të kujtesës, të përziera, të vjella, skuqje të fytyrës dhe dhimbje koke”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së dërguar Radios Evropa e Lirë.
E, në zonat ku qytetarët kanë më shumë kontakt me metanin në ajër, nga IKSHPK-ja thonë se ndikimi mund të jetë edhe më i rëndë.
“Mund të shkaktojë ndryshime në frymëmarrje, përkeqëson sëmundjet e mushkërive, shkakton sulme astmatike dhe rrahje të zemrës, sëmundje kardiovaskulare dhe vdekshmëri si dhe rrit rrezikun e goditjes në tru, probleme të ekuilibrit, mpirje dhe pavetëdije”, thonë nga IKSHPK-
Bazuar në raportin për ndotje të ajrit të këtij institucioni, në Kosovë ka pasur rritje të pacientëve me sëmundje të frymëmarrjes gjatë vitit të kaluar. Rreth 6.500 vizita për probleme të tilla u kryen në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, prej të cilëve 3.244 ishin fëmijë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilëson metanin si gazin kryesor që ndikon në ndryshimet klimatike dhe ndër shkaktarët kryesorë të problemeve me frymëmarrje e të shëndetit kardiovaskular.
Cila është zgjidhja për përmirësimin e gjendjes?
Sipas profesorit Veselaj, prioritet duhet të jetë trajtimi i deponive ilegale të mbeturinave.
“Afërsisht gjysma e mbeturinave që përfundojnë në deponitë e Kosovës janë mbeturina organike [si mbetjet ushqimore], që njëkohësisht janë edhe burim i metanit. Duhet promovuar praktikat e ndarjes apo riciklimit të mbetjeve”, thotë ai, duke shtuar se kjo do të ndikonte në nivel më të ulët të mbetjeve organike nëpër deponi, e rrjedhimisht nivel më të ulët të metanit në ajër.
Edhe IKSHPK-ja ka disa kërkesa urgjente për menaxhimin e burimeve të metanit në ajër.
“Urgjentisht të merren masa rigoroze të kontrollit teknik të automjeteve, mirëmbajtja e rrugëve, menaxhimi i drejtë i mbeturinave të ngurta, monitorimi transparent dhe i vazhdueshëm i filtrave të termocentraleve”, thonë nga IKSHPK-ja.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Koosvës nuk i është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me këtë temë.
Gjatë fushatës zgjedhore të sivjetme, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, gjendja e mjedisit nuk ishte pikë kyç e diskutimit. Partitë që garuan nuk paraqitën plane të detajuara se si do t’i adresonin këto probleme.ja.
Ndërkaq, në shtetet e Bashkimit Evropian, aty ku Kosova synon që një ditë të anëtarësohet, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të menaxhuar ndotjen nga metani.
Për shembull, Gjermania ka zbatuar teknologji të avancuara për përpunimin e mbetjeve organike dhe riciklimin e tyre, duke reduktuar nivelin e metanit në ajër.
Shumica e shteteve të BE-së kanë investuar edhe në burime alternative për prodhimin e energjisë si ajo diellore, dhe mospërdorimin e thëngjillit në termocentrale./ REL