Komisioni Evropian, përmes Gert Jan Koopman, drejtor për zgjerimin, vlerësoi se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë arritur rezultatet më të mira në zbatimin e reformave të nevojshme për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria kryeson me 21 reforma të zbatuara, ndërsa Mali i Zi ka përfunduar 12.
Ndërkaq, Komisioni Evropian njoftoi se Kosovës brenda disa javësh mund t’i hiqen të gjitha masat ndëshkuese dhe ndaj saj do t’i alokohen mbi 400 milionë euro.
“Ne kemi filluar të heqim tashmë masat ndaj Kosovës dhe tani jemi në një fazë shumë vendimtare, ku do të donim të akordonim mbi 400 milionë euro. Jemi në diskutime të thella me autoritetet e Kosovës dhe shpresoj të finalizojmë planin këtë muaj“, tha Koopman.
Ky ndryshim qëndrimi nga BE erdhi pas pjesëmarrjes së komunitetit serb në zgjedhjet e fundvitit të kaluar, që i rikthyen ata në pushtet në komunat e veriut të Kosovës.
Në total, deri më tani, nga Plani i Rritjes janë paguar rreth 453 milionë euro shteteve të Ballkanit. Koopman shtoi se vijimi i pagesave varet nga zbatimi i axhendave të reformave, kryesisht në fushën e sundimit të ligjit.



