Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, komentoi seancen parlamentare, ku pritej prezantimi i programit të qeverisë dhe kabinetit të ri, u mbyll në vetëm 25 minuta, më shkurt se kurrë më parë, pa asnjë debat real dhe me disa incidente nga opozita.
Këlliçi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndjekur një skenar të mirëpërcaktuar, duke futur personazhin-robot “Diella” për të shpërqendruar opozitën dhe për të përfunduar menjëherë pjesën e tij.
“Seanca ishte e parapërgatitur që të shkohej në mbyllje rekord, në kohë rekord. Rama nuk kërkon më debat, kundërshti apo transparencë për qytetarët,” tha Këlliçi, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.
Deputeti demokrat shtoi se gjatë hyrjes së robotit Diella, reagimi i deputetëve ishte i kufizuar dhe u ndalua procedura normale për kërkesat e grupit parlamentar të PD-së. Ai e konsideroi këtë si shkelje të procedurës dhe të Kushtetutës nga ana e kreut të Kuvendit, Niko Peleshi.
Për t’u përballur me këtë situatë, Këlliçi njoftoi se opozita ka dërguar një letër për përfaqësitë e huaja, ka kërkuar shkarkimin e kreut të Kuvendit si dhe ka planifikuar të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për të anuluar seancën dhe për të mbajtur një seancë normale me debat të plotë.
“Rama vuri në lëvizje forcën e kartonave dhe e kaloi seancën në votim. Ajo që është bërë deri tani nuk mund të vazhdohet më,” përfundoi Këlliçi.